Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Në Londër më 17 shkurt 1776 botohet vëllimi i parë i librit “Tkurrja dhe rënia e Perandorisë Romake” nga Edward Gibbon (1737 – 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe anëtar parlamenti. Puna e tij më e rëndësishme, “Historia e tkurrjes dhe rënies së Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për prozën ironike dhe cilësore, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj fesë së institucionalizuar. Gibbon ishte ai që krijoi shprehjen mbi Shqipërinë si “një tokë që shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”.
Në vëllimin VI të librit te tij, Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull, kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng në moshën 9 vjecare nga Sulltan Muradi, ndërsa këtij i duheshin edhe 9 vjet të bëhej sulltan.
Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, atit të Skënderbeut. Por edhe Gibbon gabon kur thotë se Skënderbeu vdiq me 1466; viti 1468, i përcaktuar nga Fan Noli, tashmë është pranuar si viti i saktë i vdekjes së heroit.
Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”.
Edward Gibbon kritikon edhe kultin e individit; kur fati i një populli lidhet ngushtë me atë të një personi të vetëm, dhe e argumenton këtë me ngjarjet që pasuan pas vdekjes së Skënderbeut; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” (shqiptarët nuk do të kishin ikur masivisht, dhe vendit nuk do t’i ishin dashur 500 vjet për t’u rimëkëmbur nga goditja hakmarrëse e osmanëve).