Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Me 19 shkurt 1879 – Lindi në Shkodër Luigj Gurakuqi; “shqiptar i vlefshëm” do të thoshte At Fishta; “pionier i qytetërimit” mendonte peshkop Noli; “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”, shkroi Padër Anton Harapi. Nga këto cilësime, del se Luigj Gurakuqi ishte rilindas (dijetar i gjerë me njohuri në shumë fusha njëherësh; hartues, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, ekonomist, i gjendur në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës).
Pas revolucionit të vitit 1924, Gurakuqi, si shumë pjestarë të qeverisë Noli, ikën nga vendi; për qeverinë e re, kjo ishte periudhë spastrimesh dhe larje-hesapesh. Më 2 mars, ndërsa po hynte në një kafene në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqi qëllohet me armë dhe vritet nga një i afërm i tij, Baltjon Stamolla. (Nëno moj, mbaj zi për vllanë/Me tre plumba na i ranë/Na e vran’ e na e shanë/Na i thanë trathëtor) – Fan Noli.
Historianët thonë se Stambolla kishte vepruar me nxitje të qeverisë së kryesuar nga president Ahmet Zogu, ose si i paguar nga qeveria për të vrarë një kundërshtar të saj; dhe ata e bazojnë këtë në një letër që Baltjon Stamolla i dërgoi Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut, dy ditë pas vrasjes së Gurakuqit. Letra mban adresën e burgut të Barit, dhe sot ruhet në Muzeun e Shtetit në Shkodër.
“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…
Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.
Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)
Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)
Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”