Astrit Lulushi
Zëri i Amerikës
Organizata botërore e shëndetësisë përllogarit se mbi 7 milionë njerëz vdiqën si pasojë e goditjeve në zemër në vitin 2005. Kjo e bën këtë sëmundje një prej shkaktarëve kryesorë të vdekjeve. Shkencëtarët gjithashtu thonë se një prej efeketeve anësore të sëmundjes së zemrës është depresioni mendor. Kjo është arsyeja që kohët e fundit, shoqata amerikane kundër sëmundjeve të zemrës rekomandoi që personat me sëmundje koronare, duhet gjithashtu të kontrollohen edhe për depression. Shoqata kundër sëmundjeve të zemrës kërkon nga mjekët që t’i pyesin pacientët me sëmundje në zemër edhe; Sa shpesh në dy javët e fundit kanë treguar pak intersim për të bërë gjëra të pëlqyeshme. Dhe gjatë këtyre dy javëve, sa shpesh janë ndjerë të dëshpëruar apo të mërzitur?
Përgjigjet mund të jenë nga “asnjëherë” deri në “çdo ditë”. Në se përgjigja është pohuese e prerë, shkencëtarët rekomandojnë që pacientëve t’u bëhen pyetje të tjera rreth gjumit, lodhjes, oreksit e marrëdhënieve me të tjerët.
Shoqata amerikane kundër sëmundjeve të zemrës thotë se studimet kanë treguar se pacientët me sëmundje në zemër përjetojnë gjendje depresioni 3 herë më shumë sesa njerëzit e tjerë. Studimet në këtë fushë gjithashtu thonë se pacientët me depresion që nuk trajtohen janë më të prirur të mos i marin ilaçet e zemrës ose të mos shkojnë rregullisht për terapi tek mjeku. Depresioni mendor trajtohet me barna, terapi bisedash klinike, dhe ushtrime fizike duke iu përshtatur kushteve të pacientit. Kardiologët thonë se jeta e një pacienti mund të zgjatet ose ndoshta shpëtohet duke e trajtuar depresionin në fazat e herëshme të shfaqjes së tij.
One response to “Sëmundjet e zemrës dhe Depresioni”
Emisionet Tuaja rreth shendetit dhe shkencen ne pergjithesine e saj,jane shume te mirepritura ne cdo kohe dhe moshe.Respekt per Ju dhe stafin Tuaj.