Shëndeti në vitin 2008

E Premte, 02 Janar 2009
Leave a comment

medicinesymbolNdërkohë që të gjithë mendojmë për ndryshimet që duam të bëjmë në jetën tonë personale me fillimin e vitit të ri 2009, një nga premtimet mund të jetë të tregojmë më shumë kujdes për shëndetin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Melinda Smith i hedh një vështrim lajmeve të mira dhe të këqia në fushën e shëndetit gjatë vitit 2008.

Diabeti, shpesh është i lidhur me  mbipeshën dhe mungesën e gjimnastikës. Ai mund të shkaktojë verbërinë, mosfunksisonim të  veshkave, humbjen e këmbëve, sëmundje zemre si dhe goditje në tru. Në janar të vitit 2008, ekspertët e shëndetësisë njoftuan se në Shtetet e Bashkuara po shfaqet një numër alarmues rastesh të reja diabeti çdo vit. Rreth 21 milionë amerikanë vuajnë nga diabeti ndër 180 milionë që janë diagnostikuar me këtë sëmundje në të gjithë botën. Doktor Uilliam Rasëll punon në spitalin e fëmijëve Vanderbilt në Neshvill të shtetit Tenesi.

“Në këtë pikë, nuk kemi asnjë arsye të mendojmë se kemi arritur kufijtë e kësaj epidemie,” thotë ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se nëse nuk merren masa urgjente, numri i vdekjeve të shkaktuara nga diabeti në të gjithë botën do të rritet me më shumë se 50 përqind gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

Në muajin shkurt, ekspertët ndërkombëtarë të shëndetit dhanë alarmin për një nënlloj të rëndë tuberkulozi i cili dukej se u rezistonte ilaçeve që përdoreshin normalisht për mjekimin e kësaj sëmundjeje. Në vitin 2008, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se numri i rasteve të tuberkulozit që ishin rezistentë ndaj ilaçeve ishte më i larti që ishte shënuar ndonjëherë. Organizata paralajmëroi se ekzistonte rreziku i një epidemie nëse sëmundja nuk vihej nën kontroll.

Në muajin mars, u shënua një hap pas në zhvillimin e një vaksine për virusin HIV dhe infeksionin e Sidës.
Shkencëtarët u mblodhën për të planifikuar hapin e ardhshëm të kërkimeve pas ndalimit të dy testeve klinike me njerëz të një vaksine të mundshme. Testimet në Amerikën Veriore dhe Jugore, në Karaibe, Australi dhe Afrikën Jugore treguan se ilaçi ishte i paefektshëm për shumë pacientë, ndërsa rriste mundësinë e marrjes së sëmundjes për ca të tjerë. Mjeku Antoni Fauçi është ndër ekspertët kryesorë të virusit HIV dhe Sidës në Institutin Kombëtar amerikan të Shëndetit.

“Nuk kishte tregues se vaksina mbronte kundër infeksionit, dhe se ajo ulte nivelin e infektimit me këtë virus kur personat infektoheshin njëri pas tjetrit.”

Shqetësime ishin ngritur që në vitin 2007 për rrezikun që paraqet  Bisfenoli A, një kimikat që gjendet në shishet dhe tasat plastikë. Debati u zgjerua edhe më tej në shtator të vitit 2008 kur një studim tjetër e lidhi Bisfenolin A me rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetin dhe problemet e mëlçisë. Në nëntor, një komision i pavarur shkencor akuzoi Agjencinë amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve se e kishte injoruar rrezikun e mundshëm nga ky kimikat. Është pikërisht kjo agjenci që mbikqyr rreziqet që mund të vijnë nga tasat plastikë, enët dhe shishet e fëmijëve. Nëna si, Regan Moris, shqetësohen për ndikimin që mund të ketë Bisfenoli A tek fëmijët e saj.

“Është e frikshme. Nuk dihet nëse është e vërtetë apo jo, prandaj më mirë ta shmangësh.”

Edhe prindërit në Kinë kishin arsye të mjaftueshme për t’u shqetësuar pasi të paktën 6 fëmijë vdiqën dhe rreth 300 mijë u sëmurën nga qumështi i ndotur me melaminë.  Disa kompani kineze ee përdornin këtë kimikat  për ta bërë qumështin të dukej sikur kishte nivele më të larta proteine. Mijëra familje kërkuan kompensime. Autoritetet kineze kanë premtuar të rrisin sigurinë e produkteve të bulmetit në vend.

Në vitin 2008 pati një lajm optimist. Shkencëtarët në Universitetin e Uashingtonit në Seint Luiz të shtetit Mizuri njoftuan se kishin arritur të zbërthenin kodin e plotë të ADN-së së një pacienti me kancer.
Shkencëtarët thonë se shpresojnë të krijojnë një analizë të thjeshtë gjaku që do të ndihmojë në identifikimin e përbërjes gjenetike të çdo pacienti me kancer. Onkologu Ros Livajn thotë se pret që kërkimet të ndryshojnë mënyrën e mjekimit të pacientëve.

“Kjo do të ndihmojë në identifikimin e mjekimit për çdo pacient. Cili do të ketë më shumë nevojë për ilaçe dhe cilët pacientë rrezikojnë t’u rikthehet kanceri.”

Po në vitin 2008, një sëmundje vdekjeprurëse u rikthye tek populli i Zimbabvesë.  Kombet e Bashkuara thanë se deri në mes të dhjetorit numri i të vdekurve nga kolera kishte arritur në mbi një mijë dhe po rritej shpejt. Më shumë se 20 mijë të tjerë janë infektuar që nga fillimi i epidemisë në gusht. Njerëzit sëmuren me kolerë nga ushqimi dhe uji i ndotur dhe fillojnë të kenë diarre të rëndë dhe dehidrim. Zyrtarët e shëndetësisë në Zimbabve thanë se shkaku i përhapjes së sëmundjes ishte mungesa e kimikateve që përdoren për dezinfektimin e ujit si dhe prishja e tubacioneve të ujërave të zeza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

January 2009
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031