Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Barnat për uljen e tensionit të gjakut mund të ndihmojnë jo vetëm pacientët që vuajnë nga tensioni lartë, por edhe ata që janë në rrezik për goditje në zemër a në tru. Pas shqyrtimit provave klinike në këtë fushë, shkencëtarët vunë re se personat e moshuar që ishin trajtuar me barna kundër tensionit të gjakut kishin pakësuar edhe gjasat për goditje në zemër e në tru, pavarësisht nëse vuanin nga tensioni i lartë gjaku ose jo. Shkencëtarët mendojnë se mjekët duhet t’ua ofrojnë këto barna të gjithë pacientëve të moshuar.
Studimi ri i bën sfidë idesë se vetëm pacientët me tension të lartë gjaku mund të përfitojnë nga trajtimi me barna.
Mjekët në Britani analizuan kërkimet shkencore e provat klinike të kryera gjatë 40 vjetëve të fundit në fushën e barnave kundër hipertensionit. Ata shqyrtuan gjithashtu të dhënat shëndetësore të rreth 400 mijë pacientëve.
Rezultatet treguan se barnat kundër tensionit të lartë të gjakut pakësuan gjasat e sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru tek thuajse të gjithë pacientët, madje edhe tek ata që nuk kishin patur kurrë problem në zemër ose hipertension.
Këto barna pakësuan 25 përqind rrezikun për goditje në zemër dhe ulën ofro 35 përqind rrezikun për goditje në tru.
Për uljen e tensionit të gjakut ekzistojnë 5 grupe barnash, përfshi diuretikët, bllokuesit ACE. Gjatë studimit shkencëtarët vunë re të gjitha grupet e ilaçeve kundër tensionit të lartë pakësuan rrezikun, dhe një kombinim i barnave shpesh ishte më i efektshëm.
Studimi u botua në Revistën mjekësore Britanike. Autorët propozojnë që mjekët duhet t’u ofrojnë të gjithë personave të moshuar barna të tensionit të gjakut, edhe nëse ata kanë nivel normal tensioni në gjak.
Ekspertë të tjerë e pranojnë se rezultatet e këtij studimi janë nxitëse e optimiste, por ata thonë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar grupmoshën e personave që mund të përfitojnë nga trajtimi me këto barna.
One response to “Barnat kundër tensionit, edhe ndaj goditjeve në zemër”
Ne po e dim se diuretiket dhe bllokatoret jan barnat,por une nuk po i di te gjith diuretiket adekuat dhe cilet bllokues.Pse nuk e thoni kete kur te jepen komente shendetesore e pastaj ne me u konsultuar me mjekun teone.Tung.