Shmangia e problemeve shëndetësore gjatë udhëtimit

E Martë, 14 Korrik 2009
1 comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

planeStina e verës është një periudhë kur njerëzit shkojnë për pushime nga një vend në tjetrin. Dhe shpesh ata shqetësohen nëse janë të mbrojtur nga mikrobet kur kryejnë udhëtime të gjata dhe u duhet të qëndrojnë për shumë orë në mjedise të mbyllura si në aeroplan, tren a autobus. Përhapja e tanishme e gripit të derrit i ka shtuar këto shqetësime. Kohët e fundit, organizata botërore e shëndetësisë ngriti në shkallën më të lartë paralajmërimi rreth virusit H1N1. Drejtoresha e kësaj organizate e shpalli këtë sëmundje pandemike, që do të thotë se është e përhapur në shumë vende.  Informata të tilla i bëjnë njerëzit të pyesin; a është mirë të udhëtojnë?

Përgjigjet duken kundërthënëse. Për shembull deklarata e Organizatës botërore të shëndetësisë u bën thirrje vendeve që të mos kufizojnë lëvizjet ndërshtetërore te shtetasve te tyre,  të mos kufizojnë tregëtinë dhe udhëtimet jashtë shtetit sepse rastet e këtij lloj gripi mes njerzëve janë të rralla. Por nga ana tjetër, zyrtarët vazhdojnë të njoftojnë për raste të reja të prekurish nga virusi H1N1 në mbarë botën.

Në të kaluarën, organizata botërore e shëndetësisë dhe qëndra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve kanë shpërndarë udhëzime se si njerëzit duhet të veprojnë për t’u ruajtur nga gripi në mjedise të mbyllura udhëtimi. Ekspertët thonë se njeriu qe udheton me aeroplan mund të infektohet në se është ulur dy radhë larg nga personi i infektuar;  një distancë prej 3 metrash nga personi i sëmurë. Dhe kjo vlen vetëm në se udhëtimi zgjat më shumë se 8 orë.

Por eksperët thonë se ky udhëzim mund të mos vlejë në rastet e virusit H1N1. Specialisti Mark Gendrau pranë klinikës Lahy në shtetin Masachusets propozon disa masa që mund të ndihmojnë në parandalimin e prekjes nga gripi në aeroplan. Ai thotë se pajisja e ventilimit që qëndron mbi kryet e çdo udhëtari duhet të drejtohet në mënyrë që ajri të përshkojë fytyrën.

Infeksionet mund të përhapen edhe nëpërmjet prekjes me duar të sipërfaqeve të infektuara dhe pastaj me këto duar preken sytë, hunda e goja. Doktor Gendreau rekomandon larjen e duarve me ujë e sapun ose duke përdorur letra sanitare. Këto peceta sanitare duhet të përmbajnë të paktën 50 përqind alkohol që shërben si disinfektues. Gjithashtu, doktor Genreau rekomandon mbulimin e gojës me maskë sanitare. Por këshilla më e rëndësishe është që njeriu të mos udhëtojë nëse e ndjehet i sëmurë.

Zakonishtm, shumë njerëz nuk sëmuren kur kryejnë udhëtime të gjata. Por planet  e tyre te udhëtimit mund të preken. Ata mund të mbahet në izolim mjekësor a kuarantinë nëse gjatë udhëtimit kanë patur pranë një personi të prekur nga virusi H1N1.

Një gjë e tillë ndodhi  kohët e fundit kur kryetari i bashkisë së Një Oreansit, Ray Nagin, gruaja dhe shoqëruesit e tij u mbajtën të izoluar në qëndrën e kuarantinës mjekësore në Shangai të Kinës. Ata ishin duke shkuar në Australi, por u ndalën në Shangai pasi në aeroplanin e tyre dikush kishte shfaqur shenja të gripi H1N1. Kryebashkiaku i Nju Orleansit nuk u infektua nga ky virus, por planet e tij të udhëtimit u prekën.

Nxënësit e një shkolle të mesme në Michigan patën një përvojë të ngjashme, kur u nuk u lejuan të dilnin nga hoteli në qytetin Kail të Kinës, sepse dikush në aeropanin me te cilin kishin udhetuar dyshohej se ishte prekur nga virusi H1N1. Analizat treguan se personi nuk ishte i sëmurë, por studentët humbën rastin për të parë e vizituar shumë objekte historike. Shumë prej nxënësve thanë se udhëtimi ishte i vlefshëm, pavarësisht nga pengesat. Kështu mendon edhe një tjetër shtetas nga Marilandi, i cili pritet të vizitojë Irlandën, vendin e prejardhjes së tij. Ai thotë se ka vite që e ka ëndërruar këtë udhëtim dhe nuk do të lejojë që virusi H1N1 t’ia prishë planet.

Teknologjia në shumë aeroplanë i bën njerëzit të  ndjehen të sigurt kur udhëtojnë. Administrata amerikane e aviacjonit thotë se shumë prej aeroplanëve të mëdhenj për udhëtarë janë pajisur me një lloj filtri që pastron ajrin nga grimcat e dëmshme. Ky filtër i quajtur HEPA, është prodhuar kohë më parë nga komisioni i energjisë atomike për të mbrojtur  personat që punonin për ndërtimin e bombës atomike. Filtrat HEPA veçojnë nga ajri grimcat radioaktive. Qëndra amerikane për kontrollin e sëmundjeve thotë se filtrat HEPA janë të efektshëm në pastrimin e ajrit nga mikrobet që shkaktojnë sëmundje. Por ekspertët thonë se këto filtra nuk mund të pengojnë grimcat më të vogla sesa 0.3 mikron, të cilat  shkaktojnë infeksione.

Ekspertët thonë se njerëzit duhet ta dijnë se gjatë udhëtimeve edhe mund të preken nga sëmundje të ndryshme. Një prej këtyre shrregullimeve është hypoksia, rezultat i mungesës së oksigjenit në tru. Ekspertët thonë se trupi i njeriut  humbet oksigjen brenda pak minutave pasi aeroplani niset për fluturim.  Trysnia e ajrit në aeroplan gjatë fluturimit është më e ulët sesa kur në nivelin e detit. Kjo e bën të vështirë për trupin të përdorë me efektivitet të njëjtën sasi oksigjeni me atë që përdor kur është në tokë. Gjatë udhëtimit me aeroplan gjaku furnizohet me më pak oksigjen sepse më pak molekula oksigjeni kalojnë nëpër mushkëri e pastaj në gjak. Në raste të tilla, furnizimi i gjakut me oksigjen pakësohet deri në 20 përqind.

Dhimbjet e kokës janë një nga pasojat e mungesës së oksigjenit në tru. Në raste te tilla zemra ndërhynë për të rregulluar gjendjen duke rrahur me fortë dhe më shpejtë. Kjo bën që udhëtari të ndjehet i lodhur.

Këto shenja të hypoksisë nuk janë të rrezikëshme për një person të shëndetshëm. Por një rënie e nivelit të oksigjenit mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore tek persona  me sëmundje në zemër ose në mushkëri. Ata mund të humbasin ndjenjat ose të pësojnë goditje në zemër.

Ekspertët thonë se pirja e duhanit dhe e alkoholit gjithashtu mund të ulë aftësitë e organizmit për të përdorur oksigjen. Prandaj rekomandohet që njerëzit nuk duhet të pijnë cigare ose alkohol, përpara ose gjatë fluturimit. Ndërsa personat me probleme në zemër a mushkëri duhet të këshillohen me mjekun përpara se të udhëtojnë me aeroplan.

Një tjetër problem për udhëtarët mund të përbëjë edhe tromboza e venave, që shkaktohet kur një pjesë e gjakut mpikset duke krijuar grimca të cilat bllokojnë  rrjedhën e gjakut në organizëm. Këto grimca mund të shkaktojnë edhe vdekje pasi pengojnë furnizimin me oksigjen të organeve të rëndësishme si zemrën dhe mushkëritë duke shkaktuar embolizmin pulmonar

Ekspertët thonë se udhëtarët që qëndrojnë pa lëvizur 4 orë a më shumë janë në rrezik më të madh për t’u prekur nga embolizmi pulmonar, por vetëm një në 6 mijë vetë preken nga tromboza e venave.

Kohët e fundit shkencëtarët pranë universitetit të Harvardit njoftuan rezultatet e një studimi ku thuhet se personat që udhëtojnë kanë 3 herë më shumë gjasa për t’u prekur nga tromboza. Sipas tyre, sa më i gjatë të jetë udhëtimi aq më i madh është rreziku për t’u prekur nga tromboza. Shkencëtarët gjithashtu zbuluan se ky rrezik shtohet për çdo dy orë që njeriu qëndron ulur në makinë. Ekspertët rekomandojnë që për të shmangur rreziqe të tilla, udhëtarët që rrijnë ulur për orë të tëra duhet të pijnë sa më shumë ujë, por jo lëngje që përmbajnë alkohol dhe kafeinë. Këta udhëtarë gjithashtu duhet të shtojnë qarkullimin e gjakut në venat e këmbëve duke u çuar nga ndënjësja cdo një orë e duke kryer ecje të shkurtra e lëvizje të ndryshme për çmpirjen e gjymtyrëve.

Mjekët thonë se personi që ndjen dhimbje, ënjtje ose skuqje të lëkurës në njërën këmbë gjatë ose pas një udhëtimi të gjatë mund të jetë prekur nga tromboza. Ata rekomandojnë që çdo njeri me këto simptoma duhet të shkojë tek mjeku sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjendje të tilla mund të trajtohen me barna që hollojnë gjakun dhe ndalin lëvizjen e grimcave të mpiksura të gjakut nëpër organizëm.

One response to “Shmangia e problemeve shëndetësore gjatë udhëtimit”

  1. Patriot says:

    Astrit eshte deshire e kenaqesi kur ju lexon apo ju shikon ju ne emisjonet tuaja mbi shendetin.Paci gjithmone fat e gjithe te mirat Ju e koleget Tuaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

July 2009
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031