Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Pas një ndërprerje prej 2 vjetësh, në muajin shtator gazeta Dielli do të shohë përsëri dritën e botimit. Një nga gazetat më të herëshme shqiptare, e themeluar nga Noli e Konica, dhe organ i federates mbarë shqiptare të Amerikës Vatra, kohët e fundit gazeta Dielli shënoi 100 vjetorin e saj me një seminar kulturor që tërhoqi vemendjen e shumë studiuesve. Gjatë gjithë historisë së saj, Gazeta Dielli ka parë kohë të mira, kur botohej çdo ditë dhe kohë të vështira si vitet e fundit, kur botimi i saj u ndërpre. Por kryeredaktori i ri i gazetës Dielli, Dalip Greca i tha Zërit të Amerikës, se këtë herë rilindja e Diellit është e vërtetë dhe kjo gazetë historike do të vazhdojë të botohet rregullisht. Astrit Lulushi i Zërit të Amerikës në Uashington bisedoi në telefon me zotin Dalip Greca në Nju Jork.
Zëri i Amerikës: Zoti Greca së pari ju urojmë suksese në detyrën tuaj të re si kryeredaktor i Gazetës Dielli.
Dalip Greca: Ju falemnderit. Është kënaqësi që t’a marrësh këtë urim nga Zëri i Amerikës, që ka aq shumë prestigj në gjithë botën shqiptare.
Zëri i Amerikës: Zoti Greca, sa e vështirë është të ringjallet një gazetë si Dielli, duke patur parasysh figurat historike që e kanë drejtuar atë si dhe rolin që ka luajtur kjo gazetë në historinë shqiptare?
Dalip Greca: Është një pyetje që megjithëse jemi në telefon, të bën të skuqesh sepse të marrësh përsipër një barrë të tillë është e vështrirë. Nuk është se jam unë i pari që ka marrë përsipër këtë mision, ka patur edhe të tjerë para meje. Secili ka bërë aq sa ka mundur, por idea për t’a ringjallur Diellin, që ka dy vjet që nuk botohet, lindi para disa muajsh, në konferencën shkencore kushtuar 100 vjetorit të gazetës Dielli. Atje, unë pashë në sytë e vatranëve se ata e donin këtë gazetë.
Zëri i Amerikës: Zoti Greca, ju mendoni se Dielli ka lexues që e presin të dalë?
Dalip Greca: Këto ditë ne kemi filluar përgatitjet, pra unë jam emëruar në detyrën e kryeredaktorit të Diellit që na 1 gushti dhe së pari u thirra në Këshillin e Vatrës. Anëtarët e këtij këshilli drejtues ishin me të vërtetë të emocionuar në momentin që m’a dhanë mua këtë detyrë dhe më thanë se “kemi dy vjetë që kërkojmë një editor të n’a rindezë Diellin”, sepse Dielli (gazeta) ashtu si vetë Vatra, ka mbajtur ngrohtë dhe ka ndriçuar botën shqiptare këtu në Amerikë për 100 vjetë. Pra, këshilltarët e Vatrës ishin të përgatitur dhe kishin kohë që e prisnin këtë lloj zgjimi. Vatra gjithmonë e ka mbajtur gazetën Dielli me kursimet e veta. Asnjëherë Dielli nuk ka dalë me fonde të marra nga dikush, por vetë vatranët nga kursimet e tyre e kanë bërë këtë. Prandaj e nisa këtë intervistë duke përmendur konferencën mbi 100 vjetorin e Diellit. Aty nuk dolën shumë, por të paktën nja 4 veta që dhuruan shuma të ndryshme për të ringjallur Diellin. Por ditën që unë shkova në takimin e Këshillit drejtues të Vatrës, që më besoi detyrën e kryeredaktorit, ata u ngritën, të gjithë që ishin aty, dhe secili filloi duke falur diçka nga kursimet e veta. Dhe ne kemi arritur të sigurojmë sponsorizimin e gazetës Dielli, të paktën për një vit duke e bërë botim të përmuajshëm, jo si para disa vjetëve kur dilnin, 3 ose 4 numra në vit.
Zëri i Amerikës: Pra ju thatë se Gazeta Dielli do të dalë çdo muaj, por cilat do të jenë marrëdhëniet e saj me shtypin shqiptaro – amerikan si gazeta Illyria ose si ndonjë tjetër si gazeta Bota sot? A do t’i shohë Dielli këto gazeta si konkurente e në radhë të parë, a duhet t’i shohë ajo si të tilla?
Dalip Greca: Pa kaluar në mbivlerësim, mendoj se Diellit i takon t’a shohë veten si pjesë të këtij komuniteti dhe t’i shohë këto dy gazeta si ndihmëse të komunitetit shqiptar. Pra gazeta Dielli do të jetë në një rrugë me ato, pa i konkuruar ato, sepse Dielli ka një mision fisnik, misioni është t’i shërbejë komunitetit shqiptar. Dy gazetat e tjera, edhe ato kanë të njëjtin mision, por gjithësesi, mbijetesën e tyre ato e kanë me reklama. Kam parasysh një thënie të Fan Nolit që thoshte; “Dielli do të vazhdojë të ndriçojë edhe pa rekllama, sepse ka ngrohtësinë e shqiptarëve”. Në këtë kuptim pra qëndron ndryshimi midis gazetës Dielli dhe dy gazetave të tjera të komunitetit. Marrëdhëniet me ato do të jenë të ndërsjellta.
Zëri i Amerikës: Zoti Greca, si mendoni t’i afroni bashkëpuntorët e gazetës, kur dihet se ajo i përket një shoqate pa përfitime ekonomike siç është Vatra?
Dalip Greca: Po përpiqemi të sigurojmë lidhje. Që tani kanë ardhur shkrimet e para, janë ofruar bashkëpunimet e para dhe miqve të Vatrës u kemi përcjellë misionin se Vatra ka për parti Atdheun. Janë hapur fjalë se Vatra po merret shumë me politikë, por në fakt gjithë jetën e vet Vatra është marrë me politikë, por ka dalë mbi politikën. Prandaj unë them se politika e do të jetë Atdheu dhe u kemi kërkuar bashkëpuntorëve tanë që bashkëpunimin e tyre t’a kemi kryesisht se çfarë mendojnë ata për problemet që duhet të trajtojë Dielli; çfarë ata vetë kanë në fokusin e tyre; problemet e historisë sonë kombëtare; probleme të së nesërmes tonë; probleme të tanishme që kalon kombi ynë në të gjitha pjesët e veta, jo vetëm këtu në diasporë por edhe në Kosovë, Preshevë, në Maqedoni, edhe problemi Çam edhe problemi i konsolidimit të demokracisë në Shqipëri, pra të gjitha problemet do të jenë të fokusuara.
Zëri i Amerikës: Zoti Greca, dakord, është e natyrëshme që anëtarët e shoqatës Vatra e kanë për detyrë të ndihmojnë për botimin e Diellit sepse është gazeta e shoqatës së tyre, por a nuk mendoni se detyrë duhet t’a ketë çdo shqiptar i vetëdijshëm e ndoshta edhe qeveritë si në Shqipëri e në Kosovë, sepse në fund të fundit gazeta Dielli dhe Shoqata Vatra çështjen kombëtare e kanë qëllimin e tyre, apo jo?
Dalip Greca: Pyetja është e drejtpërdrejtë dhe unë mendoj se vetë qeveritë në Shqipëri në Kosovë apo faktori qeverisës shqiptar kudo në pjesë të tjera dhe që kanë nevojë për diasporën, duhet të krijojnë, ndihmojnë e bëjnë diçka. Por gjithësesi, ne kemi ndërtuar një platformë tjetër që të mbështetemi jo në vetëm në fonde të dhuara nga anëtarët e Vatrës dhe pajtimtarëve të gazetës, por t’u drejtohemi të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë. Ne kemi dërguar mesazhe me anë të fletushkave, fletëpalosjeve, internetit dhe kërkojmë abomine vjetore për Diellin. Shuma është 60 dollarë në vit dhe gazeta do të jetë e përmuajshme. Deri tani ka reagime entuziaste, ndërkohë që kemi siguruar bashkëpuntorë nga të gjitha pjesët ku jetojnë shqiptarët apo ku ka komunitet shqiptar, përfshi Australinë, Zelandën e re, përfshi shqiptarët e rinj, nëse mund t’i quajmë kështu ata që janë vendosur kohët e fundit, emigracionin e ri në Greqi, në Itali. Kemi vendosur lidhje me arbëreshët e Italisë që kanë revista e gazeta në shqip. Kështu pra, ne po përpiqemi që gazetën Dielli dhe mesazhin e saj t’a çojmë tek të gjithë shqiptarët.
Zëri i Amerikës: Kur mendoni t’a nxirrni numrin e parë, në tetor?
Dalip Greca: Jo, numri i parë del në shtator, javën që vjen. Ne përfunduam faqosjen e numrit të ri që do të jetë një numër special, i fokusuar mbi materialet e konferencës kulturore me rastin e 100 vjetorit të Diellit, por duke bërë edhe një kalim historik nëpër shqetësimet që ka kaluar gazeta Dielli nëpër vite. Në këtë numër, unë kam botuar një editorial, shkruar mjeshtërisht nga profesor Peter Prifti aty nga fillimi i viteve ’90, që e ka trajtuar në të gjitha komponentet e veta jetëgjatësinë e gazetës Dielli. Besoj se me këtë lloj riorganizimi të ri që kemi bërë, do të ketë një rizgjim total jo vetëm të Vatrës por edhe të vetë gazetës Dielli.
Zëri i Amerikës: Ju falemnderit për bisedën.
Dalip Greca: Ishte kënaqësi, Falemnderit juve.
5 responses to “Gazeta Dielli – në shtator e përmuajshme pas një mungese dy vjeçare”
Më vjen shumë mirë për këtë njoftim. “Dielli” i Shqiptarëve të Amerikës të shkëlqejë gjithnjë!
Emil Lafe
Dielli, shumë kuptime:-Ngrohje, nga Zoti për çdo gjë n’tokë.;-Njeriu, për njeriun duhet t’ketë ngrohtësi si për vetvetën.;-Dielli, dashuri n’çdo gjë.;-Pa diell, s’ka asgjë.Andaj ua lumtë, keni një emërtim t’pazëvendësuar!
Për më gjerë, bisedojmë n’adresë që iu shkruajta.
Për fund, dëshiroj që çdo shqiptar-e kudo që t’jetë t’i ketë t’gjitha lëmitë e shkëlqyer!
Dielli, shumë kuptime:-Ngrohje, nga Zoti për çdo gjë n’tokë.;-Njeriu, për njeriun duhet t’ketë ngrohtësi si për vetvetën.;-Dielli, dashuri n’çdo gjë.;-Pa diell, s’ka asgjë.Andaj ua lumtë, keni një emërtim t’pazëvendësuar!
Për më gjerë, bisedojmë n’adresë që iu shkruajta.
Për fund, dëshiroj që çdo shqiptar-e kudo që t’jetë t’i ketë t’gjitha lëmitë e shkëlqyera!
Mos lejoni t’keqën, t’ua mund t’mirën.Andaj çdo shqiptar-e, kudo që jeton duhet t’i ruan me diell apo dashuri:-Kulturën, traditat dhe pikërisht fytyrën e pastër të stërgjyshërve tanë ilirë.Kështu tregohet, jo vetëm fytyra personale por edhe shkëlqehet toka shqiptare.Poashtu tokën e shkëlqyer, bëjmë duke treguar diell apo dashuri për secilin-ën si për vetvetën.
Pershendes rilindjen e DIELLIT.Shqiptaret kudo qe ndodhen dhe kane lidhje me USA
duhet te pershendesin ate.
mendoj se ky diell duhet te ngrohe zemrat e atyre qe e lexojne e qe duan te lexojne
shqip ne dhe te huaj,gjithashtu te permbushe deshirat e shqiptareve me njoftime jete-
dhenese dhe jo me “lajme”banale si gazetat e vendit ame.
Vaso