Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Çfarë lloj sëmundjesh mund të gjenden në ADN? Pyetje të ngjashme u bëjnë konsumatorëve disa firma që ofrojnë analiza gjenetike për të përcaktuar nëse një person ndodhet në rrezik për t’u prekur nga diabeti, sëmundje të zemrës e probleme të tjera shëndetësore. Por gjithnjë e më shumë të dhëna studimore tani tregojnë se analizat gjenetike nuk përmbajnë shumë informacion për parashikimin e sëmundjeve.
Kundrejt një shume prej 500 dollarësh, çdo njeri mund të kryejë analizën e ADN-së së vet për të zbuluar gjenet që lidhen me sëmundje të ndryshme.
Ekspertët thonë se ekzistojnë shumë gjene të ndryshme që ndikojnë në zhvillimin e diabeteve dhe sëmundje të zemrës. Por çdo gjen, kur merret veças, ndikon shumë pak në shtimin e rrezikut për prekjen nga sumundjet.
Duke marrë në shqyrtim vlerën e analizave të ADN-së në parashikimin e rrezikut të sëmundjeve, shkencëtarët pranë universitetit të Harvardit morrën mostra gjenetike nga më shumë se 6 mijë pacientë, disa prej të cilëve kishin diabet të tipit 2. Ata analizuan ADN-në e pacientëve për 10 variacione gjenetike që lidhen me rrezikun e diabetit. Si përfundim, kjo analizë nuk ndihmoi shumë për parashikimin e diabetit të tipit 2.
Pastaj, shkencëtarët u përqëndruan në faktorët tradicionale të rrezikut siç janë mosha e pacientit, historia shëndetësore familjare dhe mënyrat e jetesës. Edhe pas kësaj, parashikimi i sëmundjeve në bazë të analizave gjenetike u përmirësua shumë pak, vetëm 1 përqind. Ekspertët thonë se mënyrat e tanishme të analizave të ADN-së për parashikimin e sëmundjeve mund të përmirësohen me kalimin e viteve. Por tani për tani, kryerja e një analize të tillë është vetëm shpenzim parash. Shkencëtarët këshillojnë se pacientët është më mirë të përqëndrohen në uljen e gjasave për t’u prekur nga diabeti duke ngrënë ushqime të shëndetëshme, duke kryer ushtrime fizike e duke mbajtur peshën trupore nën kontroll sesa të shpresojnë se një analizë ADN-je do t’i parashikojë këto sëmundje