Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Bima mjekësore Ginkgo Biloba (GINKGO) mendohet se nxit fuqinë e trurit. Por një studim i ri tregon se kjo bimë mjekësore nuk ndikon fare në uljen e rrezikut të goditjeve në zemër e në tru, por duket se mund të ndihmojë kundër sëmundjeve vaskulare periferike. Studime paraprake mbi ginko bilobën kishin lënë të kuptohej se kjo bimë mund të luftonte sëmundjet e zemrës. Disa thonin se ginko biloba përmban ankioksidant, ndërsa të dhëna të tjera tregonin se GINKGO mund të pakësojë rrezikun nga koagulimi i gjakut.
Por sipas studimeve të reja nga Universiteti i Pitsburgut në Pensilvani, edhe marrja çdo ditë e gingko bilobës duket se nuk ndikon në rastet e sëmundjeve të zemrës.
Mjekët shqyrtuan më shumë se 3.000 njerëz mbi moshën 75 vjeç. Këta pacientë u ndanë në dy grupe; një grup për të marrë ginkgo biloba dhe grupi tjetër placebo, dy herë në ditë. Rezultatet treguan se mes dy grupeve nuk kishte dallime në rastet e sulmeve në zemër, tru, ose vdekje nga sëmundjet e zemrës.
Megjithatë, ngushtimi i enëve të gjakut në këmbë – gjendje e quajtur sëmundje vaskulare periferike ose PVD – ishte rreth dy herë më i shpeshtë në grupin e pacientëve që u trajtuan me placebo.
Sëmundja Vaskulare Periferike ose PVD mund të krijojë probleme të rënda për shëndetin. Personat e prekur prej saj, shpesh kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike e deri prerje gjymtyre për trajtimin e problemit.
Në Evropë, ginkgo biloba përdoret tani për të luftuar sëmundjet periferike vaskulare, por ekspertët thonë se më shumë studime janë të nevojshme për të konfirmuar efektet e kësaj bime mjekësore dhe për të përcaktuar dozën e përshtatëshme të saj.