Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Shtetet e Bashkuara janë përfshirë nga debatet nëse atletët e rinj duhet t’u nënshtrohen ekzaminimit të detyrueshëm shëndetësor për sëmundje në zemër, para se të merren me veprimtari sportive. Ndërsa një studim nga disa mjekë në Teksas ka arritur në përfundimin se të gjithë fëmijët, atletët apo jo, duhet të kontrollohen nga mjeku. Brandon Williams ishte vetëm 13 vjeç kur ai pësoi një goditje fatale zemër. Austin Sergev ishte edhe më i ri – vetëm 11 vjeç – kur zemra e tij pushoi së rrahuri. Fëmijë edhe më të rinj – 8 vjeç – kanë përjetuar pushim të papritur zemre.
Në Itali, atletët e rinj kryejnë një ekzaminim të plotë mjekësor që përfshinë elektro-kardiogramin. Këto masa kanë pakësuar numrin e rasteve të ndalimit të papritur të zemrës tek këta atletët.
Programe të tilla për kontrolle paraprake mjekësore janë pak të përhapur në Shtetet e Bashkuara. Por tani një grup mjekësh në Teksas po e ndryshon këtë prirje, duke vendosur aparate elektro-kardiogrami në palestrat e shkollave.
Ndalimi i papritur i zemrës zemër ndodh përafërsisht në 1 mes 100.000 nxënësve çdo vit. Ky është një numër relativisht i ulët në krahasim me vdekjet nga sëmundje të tjera, por mund të konsiderohet edhe i lartë, pasi askush nuk duhet të vdesë për shkak të moskujdesit. Kardiologët nga Teksasi po përpiqen t’a zgjerojnë këtë program për të përfshirë të gjithë nxënësit e shkollave.
Doktor Higgins thotë se rezultatet e deri tanishme kanë nxjerrë në pah nevojën për kontrollin e zemrës, përveç kujdesit rregullt pediatrik. Ai dhe grupi i kardiologëve po ekzaminon të gjithë nxënësit, dhe jo vetëm ata që janë të interesuar për t’u marrë me sport. Dr Higgins dëshiron t’a zgjerojë këtë program për të gjitha klasat e gjashta në Teksas. Nga 94 fëmijë që u ekzaminuan pranverën e kaluar, 7 kishin sëmundje të padiagnostikuara të zemrës dhe 2 patën nevojë për ndërhyrje kirugjike. Dhe këto u zbuluan falë kontrollit paraprak nëpërmjet elektro-kardiogramit në palestrat sportive.