Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sipas qëndrës për kontrollin e helmimeve, mijëra të rinj nën moshën 18 vjeçare mbllaçisin duhan. Cigaret janë problemi më i madh, por duhani pa tym po bëhet gjithnjë e më shumë shqetësues. Tani disa nga produktet e duhanit janë paketuar që të duken si karamele. Gëlltitja aksidentale e produkteve të duhanit është një shkak kryesor i helmimeve tek fëmijët e vegjël dhe foshnjet. Një studim i botuar në revistën e Pediatrisë shqyrton të dhëna rreth helmimeve mes fëmijëve, të raportuara nga më shumë se 60 qendra kontrolli që kishin regjistruar mbi 14-mijë raste të fëmijëve që kish kapërdirë prodhimeve duhani.
Shumica e fëmijëve – 90 për qind e tyre – ishin nën moshën 6 vjeç. Dhe më shumë se 70 për qind ishin më pak se një vjeç.
Produktet e duhanit pa tym po përhapen gjithnjë e më shumë, veçanërisht në mesin e fëmijëve më të rritur. Disa prej këtyre prodhimeve duken si karamele, dhe kanë shije e aroma nga më të ndryshmet. Të paketuara në mënyrë joshëse ato po bëhen një zevendësues i përkohëshëm i cigareve në mjediset ku nuk lejohet pirja e duhanit. Duhani pa tym tërheq kryesisht fëmijë e të rinj nga mosha 13 deri në 19 vjeç.
Studimi arrin në përfundimin se prodhimet e duhanit pa tym mund të paraqesin rrezik, prandaj ndaj tyre duhet vendosur një kontroll i rreptë, për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga helmimet pa dashje.