Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Poezitë e Sami Gjokës nuk mund të tingëllonin më mirë sesa anglisht – ndjesë “fansave” të tij shqiptarë në Facebook a gjetkë – dhe do të ishte “padrejtësi” ti përktheje ato në shqip, qoftë edhe me mendje – jo se shqipja nuk është e pasur – por është pjekuria gjuhësore, artistike, kulturore e autorit që i bën ato të paprekëshme, nëse duhen ruajtur vlerat, si dhe dhe të përcjellin ndjenjat dhe kuptimin. Sami Gjoka është ndër krijuesit relativisht të shumtë shqiptarë në Amerikë që rendin të shprehen ndryshe jo vetëm në formë e stil, por edhe ide. Jo rastësisht “Shadows Speak in Riddles” – Hijet flasin ndryshe – është edhe titulli i librit të tij prej 230 faqesh me poezi, nga Shtëpia Botuese Xlibris. “Shadows Speak in Riddles” gjendet tani edhe në Amazon.com, Books a Million dhe Barnes & Noble në SHBA.
Pas shume librave – romane, poezi e persiatje në shqip – me këtë vëllim të ri
poetik në anglisht, Sami Gjoka tani u afrohet guximshëm edhe kolegëve amerikanë të penës. Reçensuesit në Xlibris – filial i Shtëpisë së njohur Botuese Random House – janë shprehur se “Shadows Speak in Riddles“ t’i mbush sytë me lot. Vërtet, absolutisht prekës. Përvoja të shpirtit dhe jetës së autorit. Mbledhje, renditje e mahnitëshme, drithëruese fjalësh që krijojnë artistikisht në mendje një fushë betejë midis të mires dhe të keqes, brenda cdo guacke njerëzore;
“nga ku ne nisemi
për të pushtuar
gjithë universin.”
Vetëm për t’a bërë vendin të rrënohet nga urrejtja e lakmia, ku njerëzit të jenë;
“jo për të fjetur
as për t’u shlodhur,
por për gjakderdhje,
për britma, lot e mallkim.
por kurrë për të bekuar.”
Vargje absolutisht rrëqethëse sa edhe të afërta në armosferë, për ata që vërtet e ndjejnë realitetin;
“ku vdekja prehet normale,
e shtrirë në të njëjtin shtrat
për sa kohë që kjo botë,
nuk është përmirësuar.”
Si shumica e të ikurve nga Shqipëria para rënies se diktaturës, edhe Sami Gjoka, ish-i arratisur, nuk kërkon t’i imponohet vendit dhe as bashkë-atdhetarëve.
“Who asked me what I do.
I am a lonely, naked bat
My wings at dark I spread,
Hitting rocks of scary canyons.”
ose
“Kush më pyet se cfarë bëj.
Lakuriq nate, i vetmuar jam
Në mbrëmje krahët hap,
Shkëmbinj godas kanioneve të frikshëm.”
Mendimi profetik i poezisë së tij – si krahët e lakuriqit të natës – troket në dritare, që të dëgjojë dera, ashtu si në gjuhë e tematikë, poeti shqiptaro – amerikan i drejtohet botës, që të dëgjojë atdheu. Thirrjet poetike të Sami Gjokës janë thumbuese, të ashpra, herë-herë të zymta, ogurzeze, por me një fije të hollë shprese se dikush do t’i dëgjojë.