Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Këto janë disa hapa që njeriu duhet të marrë për të shmangur helmimin nga ushqimet në rastet e ndërprerjes së rrymës elektrike.
Uragani Sandy që goditi ashpër të gjithë bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara, i detyroi njerëzit të qëndrojnë brenda dhe të shmangin rreziqet e panevojshme.
Këshilla kundër rreziqeve të panevojshme vlen edhe për ushqimet që prishen kur elektriciteti ndërpritet dhe frigoriferi nuk punon. Ushqimi në frigorifer mund të bëhet burim helmimi.
Pas 4 orësh ose më shumë pa rrymë frigoriferi e ndërpret procesin e ftohjes, dhe ekspertët e shëndetësisë këshillojnë që çdo ushqim në të që prishet duhet hedhur.
Ushqimet e ngrira mbeten të sigurta për t’u ngrënë për 48 orë pas mderprerjes se rrymes, nëse frigoriferi është plot dhe për sa kohë që dera e tij mbahet mbyllur.
Nëse frigoriferi është gjysmë plot, periudha e sigurisë së ushqimit pakësohet në 24 orë. Ndërsa hapja e derës së frigoriferit lejon daljen e e ajrit të ftohtë, kështu ushqimi prishet më shpejt.
Ekspertët këshillojnë që pas çdo ndërprerje të rrymës elektrike, njerëzit gjithmonë duhet të kontrollojnë cilësinë e ushqimit para se t’a përgatisin për gatim apo për të ngrënë. Në këtë rast, prishja e ushqimit mund të kuptohet nga ngjyra jo e zakonshme ose era e keqe – dhe nëse po, ushqimi duhet hedhur për të shmangur rrezikun nga helmimi.