Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një ekip ndërkombëtar astronomësh ka zbuluar se Tau Ceti, një nga yjet më të afërt me Tokën, mund të përmbajë 5 planete a sistem planetesh, mundësisht të banueshëm.
Në një distancë prej 12 vjet drite dhe i dukshëm me sy të lirë në qiellin e mbrëmjes, Tau Ceti është i vetmi ylli më i afërt që ka të njëjtin klasifikim si sistemi ynë diellor. 5 planete të Tau Cetit janë vlerësuar të kenë përmasa midis 2 dhe 6 herë më të mëdha se planeti yne – duke i bërë ato me përmasa më të përafërta me Tokën të zbuluara deri tani.
Ekipi ndërkombëtar i astronomëve nga Britania e Madhe, Kili, SHBA dhe Australia, përdori teknika të reja për të zbuluar sinjale nga ky yll, sinjale të cilat më parë mendohej se nuk ekzistonin. Kjo sugjeron se Tau Ceti nuk është i vetmi yll që perben sistem planetar.
Autorët e studimit, botuar në revistën Astronomy & Astrophysics, thonë se zbulimi i ri është në përputhje me pikëpamjen në zhvillim që praktikisht çdo yll përmban sistem planetesh, mundësisht të banueshëm. Sistem planetar quhet kur një grup i lidhur (gravitacional) objektesh jo-yjorë sillet në orbitë rreth një ylli. Toka, për shembull është pjesë e një sistemi planetar që sillet në orbitë rreth një Ylli – Diell.
Pra, kur sytë nguliten natën në qiell, ia vlen të mendohet se yjet që shihen përfaqësojnë a përmbajnë shumë planete, dhe disa prej tyre ndoshta të banueshëm.