Depresion – Në kërkim të shkakut

E Enjte, 14 Shkurt 2013
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

journalAshtu si një zjarr i pyjeve ndizet papritur pa shkaktar të njohur, depresioni shpesh shpërthen pa arsye të dukshme.

Ndonjëherë, edhe pse, mund të identifikohet nxitësi – shkëndija e lindur nga një rrufe në qiell – asnjë fatkeqësi e vetme nuk mund të shpjegojë plotësisht se pse dhe si dikush zhvillon depresionin, dhe depresioni ndonjëherë lind pavarësisht ngjarjeve ose rrethanave jashtë mendjes.

Disa përvoja të dhimbshme – si vdekja e një të afërmi, divorci dhe pushimi i papritur nga puna – mund të shkaktojnë depresion. Për një kohë të gjatë mjekë psikiatër dhe psikologë i kanë përfshirë shkaqe të tilla nën ombrellën e kushteve tepër të paqarta, së bashku me shkaqet psiko-sociale dhe ngjarjet stresuese të jetës.

Vitet e fundit, megjithatë, disa studime kanë vëzhguar me më shumë kujdes llojet e ndryshme të ngjarjeve që provokojnë një episod depresiv. Provat e mbledhura deri tani argumentojnë për një kuptim më të thellë e të gjerë se si stresi ndërvepron me personin e prirur për depresion, se si depresioni tërhiqet nga lloje të ndryshme të stresit, dhe se si mund të trajtohet depresioni në varësi të situatës

Manuali diagnostik dhe statistikor i çrregullimeve mendore (DSM-4), që mjekët specialistë aktualisht përdorin, përcakton se një episod depresiv ka të paktën pesë simptoma karakteristike që zgjasin dy javë ose më gjatë. Simptomat përfshijnë humor dhe energji të ulët, pagjumësi, ndjenjë të pavlefshmërisë, kënaqësi të zvogëluar në aktivitetet e përditshme dhe ndryshim pa shkak të jashtëm në peshën trupore – për të përmbushur kriteret për një diagnozë depresioni, simptomat duhet të ndërhyjnë në punën apo jetën shoqërore të personit, thuhet në manualin e tanishëm DSM-4.

Lista e ngjarjeve që krijojnë një episod depresiv të madh është e gjerë dhe e larmishme. Disa njerëz bëhen depresivë pasi mësojnë se kanë një sëmundje të rëndë; pasi një fatkeqësi natyrore shkatërron shtëpitë e tyre; ose kur dështojnë për të arritur qëllime të rëndësishme.

Depresioni është gjithashtu i përhapur mes atyre që kanë mbijetuar dhunimin dhe luftën.

Shkaku më i zakonshëm i depresionit është humbja, e cila merr shumë forma, duke përfshirë fatkeqësi ekonomike, papunësi të papritur dhe humbje të pasurisë apo sendeve me vlerë materiale a shpirtrore.

Sipas sondazheve, rreth 44 për qind e episodeve depresivë janë të paraprirë nga humbje ndër-personale të tilla si vdekja e një të dashuri, divorci, fundi i një marrëdhënie romantike apo fakti që një mik i ngushtë ka lëvizur në një tjetër pjesë të vendit. Me fjalë të tjera, këputja e lidhjes me një person tjetër mund të shkaktojë depresion më shumë se çdo lloj përvoje e dhimbëshme.

Ngjarja që nxit një episod depresiv nuk është e thënë të jetë katastrofike – ndonjëherë çfarë duket si stres i butë, ose humbje e vogël për shumicën e njerëzve, është e mjaftueshme për dikë tjetër të zhytet në depresion apo mjerim të vrazhdë që kundërshton të zbehet – e gjitha varet nga shkalla e rrezikut që është përcaktuar nga një bashkëveprim kompleks i shumë faktorëve, duke përfshirë ngjarjet e tensionuara apo burimet e stresit në jetë; historia familjare e sëmundjeve mendore, faktorët psikosocial e individual, të tillë si vështirësitë në fëmijërinë e hershme dhe prania ose mungesa e të afërmve dhe miqve.

Dikush me rrezik të ulët dhe pa episode depresive në të kaluarën, mund të mbijetojë një stuhi shkatërruese, ose të dalë nga një periudhë pikëllimin pas vdekjes së një të afërmi pa përjetuar depresion. Në të kundërt, dikush në rrezik të lartë depresioni mund të bjerë në thellësitë e dëshpërimit për disa muaj para se të ndjejë përsëri kënaqësitë e jetë.

Studimet e fundit argumentojnë se njerëz në rrezik të lartë bien lehtë në depresion dhe, prej atëherë e tutje, ata janë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj periudhave të shkurtra të depresionit pa qenë nevoja të nxiten nga ndonjë ngjarje e veçantë. Një shkëndijë e madhe – apo një numër më i madh shkëndijash të vogla – duhet për të ndezur depresion në njerëz me rrezik të ulët, dhe çdo gjendje depresive ka më shumë gjasa të jetë e lidhur me një humbje të caktuar.

Një shembull se si stresi ndërvepron mes ndjeshmërisë individuale dhe depresionit vjen nga një grup studimesh të kryera kohët e fundit nga shkencëtarë të Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxheles. Midis 100 njerëzve që kishin qenë të diagnostikuar me çrregullim depresiv madhor, ata që kishin përjetuar vështirësi të mëdha në fëmijëri dhe që kishin një histori të gjatë të depresionit ishin më shumë të prirur për të pasur episode të depresionit të shkaktuar nga forma relativisht të vogla të humbjes. Përvojat e kaluara kishin dobësuar mburojën e tyre ndaj depresionit ose, siç mund të thuhet, truri i tyre i ngjante një vatre të parapërgatitur zjarri, gati për t’u ndezur me shkëndijën më të parë.

Autorët spekulojnë se njerëzit që humbasin marrëdhënie të rëndësishme të parakohshme – nëpërmjet vdekjes së një prindi, për shembull, mund të bëhen veçanërisht të ndjeshëm ndaj humbjeve të vogla edhe në të ardhmen, humbje sidomos ndërpersonale.

Gjithashtu, kundërshtimi a mohimi i qëllimshëm i një personi nga një tjetër – formë e humbjes ndërpersonale e njohur si “refuzim”- është katalizator i fuqishëm i depresionit. Në një studim, shkencëtarët intervistuan 27 persona të cilët kishin qenë të diagnostikuar me çrregullim depresiv të madh. 12 nga 16 pjesëmarrësit (75 për qind), përjetuan depresion për 30 ditë për shkak të refuzimit; dhe vetëm 3 nga 11 të intervistuarit (27 për qind) të cilët nuk ishin refuzuar në mënyrë aktive u bënë depresivë vetëm për pak ditë. Në përgjithësi, rënia në depresion ishte 3 herë më e shpejtë pas refuzimit sesa pas formave të tjera të humbjes.

Kjo mënyrë e re e të kuptuarit, është reflektuar edhe në një ndryshim të fundit në Manualin diagnostik dhe statistikor i çrregullimeve mendore ose DSM. Versioni i tanishëm, DSM-4, përcakton se dikush që ka humbur kohët e fundit një të afërm nuk duhet diagnostikuar me depresion të madh nëse simptomat depresive nuk vazhdojnë më shumë se dy muaj. Nëse simptomat që nuk kanë zgjatur aq shumë, vazhdon arsyetimi, atëherë personi ka të ngjarë se vuan nga një brengosje tipike dhe jo nga depresioni.

Por DSM-5, që pritet të publikohet së shpejti për mjekët specialistë të çrregullimeve mendore, eliminon këtë paralajmërim, duke lejuar diagnostikimin me depresion nëse simptomat zgjasin më shumë se dy javë. DSM-5 përfshin edhe disa shënime për të dalluar depresionin nga pikëllimi – ndërsa depresioni është zakonisht konstant, pikëllimi a dhembja ka më shumë gjasa të jetë baticë-zbaticë. Rishikimi i DSM-4 bazohet në studimet e reja që kanë konfirmuar se humbja e të afërmit është një nga format e humbjeve më shkatërruese ndërpersonale dhe ndonjëherë shkakton episod depresiv të mirëfilltë së bashku me zinë për të vdekurin.

Psikiatria nuk ka asnjë shenjë-lakmus të përgjithshëm për të dalluar depresionin. Disa shkencëtarë argumentojnë se ndryshimet në DSM-5 do të shkurajojnë klinicistët për të bërë dallimin mes pikëllimit dhe depresionit, duke nxitur dhënien e tepruar të barnave për të dyja rastet njësoj. Sipas manualit të tanishëm (DSM-4), ekziston një periudhë pritjeje për të paktën dy muaj pasi një pacient ka humbur një të dashur, para diagnostikimit me depresion dhe se nuk ka asgjë për të humbur duke pritur – thonë kritikët – sepse para trajtimit me barna ekzistojnë terapitë njohëse dhe me biseda. Trajtimet më efektive, thonë ata, ka të ngjarë të kërkojnë një kuptim më të qartë pikërisht të asaj se çfarë ndodh në tru dhe në trup gjatë depresionit.

Si me shumicën e çrregullimeve mendore, baza biologjike e depresionit mbetet e pa qartë, por projekte të ndryshme nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor në SHBA thuhet se janë duke bërë përparim.

Tani për tani, edhe pse njeriu nuk mund të jetë në gjendje për të njohur a ndërlidhur të gjithë faktorët gjenetikë dhe socialë që ndezin mendjen, ai/ajo mund të mësojë se si të kontrollojë jetën, sepse në fund të ditës, nuk është vetëm ngjarja e vështirë që rezulton në depresion, por është dallimi në mënyrën se si truri e interpreton ngjarjen. Vështruar nga ky kënd, stresi i përjetuar përkthehet në lloje të ndryshe procesesh biologjike, përvoje dhe nxënie, prandaj jo çdo stres shkakton depresion. Disa njerëz notojnë rreth tyre, të tjerët zhyten në to. Disa kurrë nuk zhvillojnë depresioni, pavarësisht sa keq a sa herë refuzohen. Kjo i shtynë shkencëtarët të mendojnë se diku në organizëm ekziston një lloj mekanizmi – neurologjik, gjenetik a biologjik – që po të zbulohet, mjekët mund të kontrollojnë pasojat e humbjes apo depresionin….Dhe kërkimet vazhdojnë….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

February 2013
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728