Aristokrati i dinosaurëve

E Diel, 24 Shkurt 2013
Leave a comment

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

NopcsaLondër 1906. Një burrë shtat-shkurtër, me veshje elegante, ecën drejt skeletit gjigand të Dinosaurit në Muzeun e Historisë së Natyrës. Merr një nga eshtrat e këmbëve dhe e kthen në anë të kundërt; “ky është pozicioni i duhur!”, thotë. Shumë vizitorë e panë me habi, por zyrtarët e muzeut e njihnin. Quhej Ferenz. Ishte aristokrat, por edhe autoritet me famë në fushën e studimit të fosileve të kafshëve parahistorike.

Ndër paleontologët, Ferenz njihet si zbulues dhe përshkrues i dinosaurve në Evropën qendrore e jugore, rajone të cilat i përshkoi me motorçikletën e tij në kërkim të miqve dhe kafshëve të fosilizuara. Megjithatë, hollësitë e jetës personale, shpesh e kanë lënë në hije trashëgiminë e tij intelektuale. I pasur, aventurier, ambicioz pa kufi, i varfër, 56 vjeç, në vështirësi financiare, vrau veten – thonë biografët. Me pasurinë e tij Ferenz kishte ndihmuar popuj të Ballkanit për t’i çliruar nga perandoria osmane, spiun i dyfishtë gjatë Luftës së Parë dhe gati u bë mbret. Nga lufta doli i rrënuar; humbi pronat dhe titujt, varfëria e shtyu të punonte për të jetuar, ndërsa koleksionin e fosileve ia dha, kundrejt të hollave, Muzeut Britanik.

Vetëm kohët e fundit shkenca botërore sikur ka filluar t’ia njohë vlerat dhe rreth tij tani flitet jo vetëm për bëmat personale e politike apo stilin e jetesës. Në studime të ndryshme paleontologjike ai njihet si krijues i teknikave për analizimin e fosileve. Për më tepër, tani shkencëtarët thonë se teoritë e tij mbi evolucionin e dinosaurve ishin shumë të avancuara për kohën e tij.

Deri pak dekada më parë, shkencëtarët mendonin se dinosaurët ishin zhdukur. Por Ferenz mendonte ndryshe. Sipas tij, dinosaurët kane ekzistuar në të gjitha format dhe madhësitë – të mëdhenj e të vegjël, dy-këmbësh, katër-këmbësh, tokësorë, ujorë e flutures.

Dihet se dinosaurët së pari u shfaqën rreth 230 milionë vjet më parë. Ata sunduan Tokën për rreth 135 milionë vjet dhe një ngjarje 65 milionë vjet më parë, solli shuarjen e tyre. Shkencëtarët nuk pajtohen tërësisht mbi atë që ndodhi, por thonë se ishte një ndikin i dyfishtë apo trefishtë përfshi përplasje asteroidesh, helmim nga kimikatet dhe llava vullkanike, ndryshimet klimatike dhe faktorë të tjerë të mundshëm. Dinosaur rrjedh nga greqishtja “deinos” – “tmerr dhe “saur” – “zvarrë” (zvarranik i tmerrshëm).

Në fillim të shekullit të XX, Ferenz doli me teorinë se vetëm dinosaurët e mëdhenj janë zhdukur, zogjtë janë pasardhës të dinosaurëve, ndërsa puplat evoluan për t’iu përshtatur fluturimit kur kushtet e jetës në tokë ndryshuan. Ferenz mendonte gjithashtu se miliona vjet më parë Evropa qëndrore dhe gadishulli Ballkanik përbënin një ishull dhe jeta e izoluar bëri që dinosaurët të evoluonin duke u bërë më të vegjël e së fundi zogj a kafshë deti, ndërsa fosilet e dinosaurve të gjetura në Evropën qendrore e jugore përbëjnë çelësin për të kuptuar evolucionin e dinosaurve në shkallë globale. Të gjitha këto teza të parashtruara nga Ferenz rreth 8 dekada më parë, dhe që atëhere u pritën me shpoti nga shkenca përkatëse, sot cilësohen të mirëqena nga paleontologët.

Vitet e fundit, me zbulimet e reja të fosileve dhe përparimet teknologjike, shkencëtarët kanë filluar të pohojnë se sa të drejtë kishte Ferenz, i cili s’ishte tjetër veçse Franz Nopça, baron i Saçalit në Transilvani, mik i shqiptarëve, lindur më 1877, vetëvrarë më 1933 në Vienë, pak minuta pasi kishte qëlluar për vdekje sekretarin e tij.

Baron Nopça urrente Ismail Qemalin; ishte mik i Faik Konicës; kandidoi per fronin e Shqipërise por hoqi dorë kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) njohu një Shqipëri të cunguar.

Franz Nopça la pas rreth 180 punime akademike e vepra shkencore, dhe gati 1/3 e tyre kanë të bëjnë me kulturën, etnografinë dhe gjeografinë shqiptare. Pas vdekjes ato u bënë pjesë e trashëgimisë së albanologut Norbert Jokl, ndërsa sot ndoshta vazhdojnë të mbeten mbuluar nga pluhuri i natyrës dhe harresës diku në arkiva austriake a gjermane, të papërkthyera e të pabotuara në shqip. Thonë se “Institutet Albanologjike merren kryesisht me gjuhësi dhe se etnografia dhe gjeografia nuk hyjnë në sferën e veprimtarisë së tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

February 2013
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728