Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Në këtë botë ngërçesh e grindjesh, “njerëzit mund të bëhen më liberalë politikisht menjëherë pas një stërvitjeje shpirtërore siç është meditimi”, thuhet në një studim nga shkencëtarë në Universitetin e Torontos në Kanada.
Autorët thonë se gjatë vëzhgimeve vunë re një ndarje të madhe ndërmjet besimit fetar dhe bindjes politike. Për shembull, individët fetarë priren të jenë më konservatorë dhe individët shpirtërorë priren të jenë më liberalë, ndërsa një përvojë shpirtërore përmes një ushtrimi meditimi i shtynë të dyja palët – liberalët dhe konservatorët – të mbajnë qëndrime më të pajtueshme në politikë.
Ndërsa besimtari karakterizohet nga përkushtimi ndaj një tradite të veçantë, të përcaktuar nga parimet, apo kodi i sjelljes, njeriu shpirtëror është i lidhur me përvojën e drejtpërdrejtë të vetë-njohjes dhe ndjenjës se të gjithë njerëzët janë të ndërlidhur.
Studimi u nda në tre pjesë; në pjesën e parë, shkencëtarët u kërkuan 590 pjesëmarrësve amerikanë nëse ata identifikoheshin politikisht si demokrat apo republikan.
Në pjesën e dytë te studimit, shkencëtarët matën orientimet politike të 700 pjesëmarrësve dhe mbështetjet për partitë e mëdha politike amerikane dhe kanadeze. Shkencëtarët konfirmuan se njerëzit besimtarë u shoqëruan me konservatorizmin politik, ndërsa ata shpirtërorë lidheshin me liberalizmin politik. Këto shoqërime ndodhnin për shkak të vlerave të përbashkëta në themel të këtyre orientimeve: konservatorizmi dhe besimi fetar të dyja theksojnë rëndësinë e traditës, ndërsa liberalizmi dhe spiritualizmi të dyja theksojnë rëndësinë e barazisë dhe harmonisë sociale.
Në pjesën e tretë, studiuesit vëshguan 317 pjesëmarrës nga SHBA, dhe i kërkuan gjysmës së tyre për të kryer një ushtrim shpirtëror duke ndjekur një video me udhëzime meditimi. Atyre që shikuan këtë video iu kërkua pastaj për të mbyllur sytë dhe të merrnin frymë thellë, duke imagjinuar veten në një mjedis natyror dhe ndjenja të lidhura me mjedisin. Ata u pyetën më pas në lidhje me orientimin e tyre politik, dhe si e vlerësonin shkallën e ndjenjës shpirtërore. Rezultatet treguan se pjesëmarrësit që kishin provuar nivele më të larta spiritualiteti shprehën qëndrime më liberale politike, duke përfshirë edhe një mbështetje më të pakët ndaj politikave të ashpra kundër krimit dhe një preferencë për kandidatët liberalë politikë.
Studimi arriti në përfundimin se përvojat shpirtërore duket se i bëjnë njerëzit të ndjehen më shumë të lidhur me njëri tjetrin, duke menduar se të gjithë janë të barabartë e pjesë e të njëjtit sistem – janë rezultate që mund të çojnë përpara jo vetëm të kuptuarit shpirtërisht të vetes, por edhe të ndihmojnë dialogun politik në të ardhmen.
Autorët e studimit thonë se besimi fetar ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen e kulturave së bashku dhe vendosjen e rregullave të përbashkëta; spiritualiteti, në anën tjetër, ndihmon që kulturat të rinovojnë veten duke iu përshtatur rrethanave të ndryshueshme; të dy krahët – të djathtë e të majtë – janë të nevojshëm – asnjëri i vetëm nuk ka të drejtë – por është dialogu mes tyre që prodhon shansin më të mirë për të arritur të drejtën e balancuar. Kështu, nëse njerëzit arrijnë të kuptojnë se të dyja palët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në shoqëri, disa prej tensioneve të panevojshme politike mund të eleminohen.
Burimi kryesor: Science Daily