Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Ndërsa mbipesha bëhet problem shëndetësor global, edhe një prej pasojave të saj – diabeti i tipit 2 – po merr përmasa pandemike. Kjo ngre shqetësime të reja rreth sëmundjeve që lidhen me diabetin, përfshi të parit që nëse lihet pa trajtuar mund të çojë në verbim.
Organizata botërore e shëndetësisë thotë se 160 milionë njerëz në botë me diabet gjithashtu janë të prekur edhe nga një shkallë e humbjes së shikimit e quajtur ndryshe “retinopathy diabetike” – shkaktuar nga ndryshimi i enëve të gjakut në retinë, pjesë e syrit që kthen imazhet e dritës në impulse nervore duke lejuar njeriun të shohë.
Një studim 10 vjeçar i kryer nga shkencëtarë pranë shkollës mjekësore Johns Hopkins në Baltimor, tregon se i vetmi faktor rreziku për humbjen e shikimit që u rrit gjatë periudhës në vëzhgim ishte diabeti. Studimi gjithashtu zbuloi se diabeti po përhapet edhe mes moshave të reja. Shkencëtarët vunë re se mes personave në moshën 20 deri 40 vjeçare, rastet e diabetit janë rritur 40 për qind.
Ekspertë të shëndetësisë thonë se çdo njeri me diabet është në rrezik për të humbur shikimin. Por i rëndësishëm është fakti se është se retinopathia diabetike mund të trajtohet dhe nëse zbulohet herët, pacienti ka gjasa të parandalojë humbjen e të parit në 90 për qind të rasteve. Ndërsa pa trajtim, sëmundja mund të rezultojë në humbje të pjesëshme ose deri të plotë të shikimit. Studimi u botua në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë (JAMA).