Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Duke aktivizuar një qark të trurit që kontrollon sjelljet e pandreqëshme, neuroshkencëtarët në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit (MIT), kanë demonstruar se mund t’i bllokojnë këto sjellje tek minjtë në laborator – një rezultat që mund t’i ndihmojë shkencëtarët për të zhvilluar trajtime të reja për sëmundje të tilla si çrregullimi obsesiv-maniakal apo OCD, dhe sindromi Tourette ose TS, një çrregullim i trashëguar neuro-psikiatrik.
OCD është një çrregullim psikik që karakterizohet nga mendime ngulmuese që prodhojnë ankth, frikë, mani (nga mikrobet etj.); ose sjelljet shqetësuese të përsëritura (larja e vazhdimisht e duarve etj.), që synojnë zvogëlimin e ankthit; ose një kombinim i të dyjave etj.)
Miliona njerëz vuajnë nga OCD, dhe pacientët zakonisht trajtohen me barna kundër ankthit ose antidepresantë; me psikoterapi ose terapi të sjelljes; ose një kombinim i terapisë dhe barnave. Për ata që nuk reagojnë ndaj këtyre trajtimeve, një alternativë e re është stimulimi i thellë i trurit (DBS), që dërgon impulse elektrike nëpërmjet një stimuluesi kardiak apo ‘pacemaker’ të implantuar në tru.
Administrat amerikane e Ushqimeve dhe Barnave (FDA) e ka miratuar që në vitin 1997 këtë mënyrë kirugjike si trajtim për tronditje të thella të trurit; për sëmundjen e Parkinsonit, në vitin 2002: dhe për dystoninë (çrregullim neurologjik i lëvizjeve), në vitin 2003. DBS gjithashtu përdoret zakonisht për të trajtuar dhimbjet kronike dhe ka qenë përdorur për të trajtimin e çrregullimeve afektive të ndryshme, duke përfshirë edhe depresionin e madh. Ndërsa stimulimi i thellë i trurit është provuar i dobishëm për disa pacientë, ekzistojnë edhe mundësi për komplikacione të rënda dhe efekte anësore – për arsye se ende nuk njihet koha e saktë se kur këto impulse elektrike i duhen dërguar trurit.
Për studimin e ri – botuar në revistën Nature – për të kontrolluar veprimtarinë e neuroneve, shkencëtarët përdorën mënyrën optogjenetike ose nëpërmjet dritës. Kjo teknikë nuk është ende gati për përdorim në njerëz, por studime si ky, thonë ekspertët, mund t’i ndihmojnë neurologët të identifikojnë rastet e aktivitetit të trurit që sinjalizojnë fillimin e sjelljes së sëmurë, duke i lejuar ata që të përcaktojnë më saktësisht kohën e ofrimit të stimulimit të thellë të trurit.