Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Në luftën kundër duhanit po dilet fitues dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan këtë një arritje spektakolare të Konventës Kornizë për Kontrollin e Duhanit.
Konventa, e miratuar në vitin 2005, cilësohet si më gjithë përfshirësja në historinë e Kombeve të Bashkuara. Ajo mbulon pothuajse 90 për qind të popullsisë së botës dhe është nënshkruar nga rreth 175 vende, përfshi Bashkimin Europian.
Pirja e duhanit është shkaktari i vetëm më i parandalueshëm i vdekjeve në botë. Vlerësohet se 6 milionë njerëz vdesin çdo vit si pasojë e tymit të duhanit.
Studimi i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon se 7.4 milionë vdekje të parakohëshme do të parandalohen deri në vitin 2050 nga një program i hartuar nga OBSH-ja. Programi quhet “MPOWER”, dhe përmban 6 hapa;
– Monitorimi i përdorimit të duhanit dhe politikat parandaluese
– Mbrojtja e njerëzve nga tymi i duhanit
– Ofrimi i ndihmës për të lënë duhanin
– Paralajmërimi i njerëzve për pasojat e pirjes së duhanit
– Ndalimi i reklamave të duhanit
– Rritja e taksës së duhanit
41 shtete janë duke i bërë përparësi të paktën disa prej këtyre masave. Autorët e studimit thonë se nga zbatimi i këtyre masave përfitime të tjera do të jenë; lindjet me më pak probleme dhe më pak humbje të prodhimtarisë në vendet e punës.