Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sipas urtësisë shkencore konvencionale, bimësia dhe krijesat lindën në tokë vetëm para 500 milionë vjetësh kur ndodhi ajo që njihet si Ngjarja e Madhe e Oksidimit. Para kësaj periudhe, ajri ishte pa oksigjen, dhe toka ishte e shkretë si planeti Mars sot.
Tani thuhet se kjo datë është jo e saktë. Shkencëtarë gjeologë në Universitetin e Oregonit, kanë paraqitur dëshmi se jeta në tokë është 4 herë më e vjetër sesa mendohet. Sipas tyre jeta në tokë lindi rreth 2 miliardë vjet më parë. Ata e bazojnë këtë hipotezë në disa organizma të fosilizuar, që i zbuluan gjatë gërmimeve në Afrikën e jugut.
Këto fosile ngjajnë me organizmat moderne të quajtur Geosiphon; kërpudha me një zgavër në qendër e mbushur me cyanobakteria. Shkencëtarët e dijnë se ‘cyanobakteria’, por jo kërpudha, i përket të njëjtës moshë gjeologjike prej 2.2 miliardë vjetësh.
Studimi botuar në revistën ‘Precambrian Research‘ thotë se fosilet e reja vendosin një standart të ri mbi fillimin e gjelbërimit në Tokë, duke e shtyrë shumë prapa këtë periudhë, në vitet 2.2 miliardë, kur niveli i oksigjenit në ajër filloi të rritej pak nga pak deri në 5 për qind, duke mundësuar lindjen e organizmave të thjeshta. Sot ajri në Tokë përbëhet nga 21 për qind oksigjen.
Rëndësia e këtij zbulimi, thonë ekspertët, është se hap dyer të reja për kërkime në lidhje me zanafillin e jetës në Tokë.