Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes
Më 14 shtator 1927, vdes në Francë balerina amerikane Isadora Duncan. Jeta dhe vdekja e saj janë të pazakonta. Lindur në Kaliforni më 1877, shumicën e jetës Dunkan e kaloi e mërguar në Evropën perëndimore dhe Bashkimin Sovjetik.
E njohur për stile kercimesh që thyenin tabutë e kohës, Isadora Dunkan u bë edhe më e famshme kur iku bujshëm nga Amerika për ndjenjat e saj pro-sovjetike. Madje për të shprehur hapur këto ndjenja ajo mbante në qafë një shall të kuq tepër të gjatë, dhe kur dilte në skene u thoshte spektatorëve – “Ky shall është i kuq, kështu jam edhe unë!” Dhe “ky shall” u bë shkaktar i vdekjes së saj. Ndërsa ishte duke udhëtuar me automobil në Nisë të Francës, shalli i gjate i kuq i mëndafshtë iu ngatërruar në boshtin e rrotave të pasme të makines dhe Isadora Dunkan pati një vdekje të llahtarshme.
Përsa i përket jetës, në vitin 1913, Isadora udhëtoi nëpër Shqipëri. Ajo flet rreth këtij udhëtimi në librin autobiografik “My Life”, botuar pas vdekjes. Në vitin 1922, Isadore Dunkan martohet me poetin rus Sergei Esenin, 18 vjet më i ri se ajo. Një vit më pas ata u ndanë. Esenin u kthye në Moskë, ku më 1925 vrau veten – një film i ri (2005) mbi jetën e tij tregon se poeti 30-vjecar u vra nga sigurimi sovjetik, NVDK.
Edhe per Isadora Dunkan, eshte folur e shkruar; me 2005, shkrimtari Luan Rama botoi romanin historik “Santa Quaranta” mbi udhetimin e Isadores ne Sarande; ndersa filmi “Isadora” (1968) me Vanesa Redgrave ne rolin e balerines, tregon se si kjo artiste e viteve 1920 ndryshoi përgjithmonë mendësinë e njerëzve rreth baletit dhe kercimit skenik. Në vitin 1987 Isadora Duncan u pranua në Hollin e Famës në Muzeun Kombëtar të baletit, SHBA.