Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
31 tetor 1661 – Vdiq në Edirne të Turqisë, Mehmet Pashë Koprulu ose Qyprilliu – i njohur edhe si Mehmed Pashë Rojniku, lindur me1575 në Roshnik të Beratit. Ai ishte themeluesi i dinastisë shqiptare Qyprilli të krye-vezirëve osmanë – që i dha perandorisë ushtarakë e burra-shteti gjatë gjysmës së fundit të shekullit të 17-të.
Mehmet Qyprilliu ndihmoi në rimëkëmbjen e fuqisë së perandorisë, dhe shtimin e autoritetit të saj, duke çrrënjosur korrupsionit dhe riorganizuar ushtrinë. Ai gjithashtu zgjeroi kufijtë e perandorisë osmane, duke zmbrapsur kozakët, hungarezët e venedikasit; themeloi Derën e Qyprillinjve të Rumelisë (Veles i sotëm në Maqedoni).
Mehmet Qyprilliu hyri në shërbim të sulltanit që kur ishte adoleshent, duke e filluar karrierën si shërbëtor oborri, u dërgua në shkollë ushtarake, morri gradë ushtarake, shërbeu në provinca të ndryshme të perandorisë osmane; fillimisht në rajonin Kopru afër Anadollit, nga mori edhe mbiemrin Koprulu që do të thotë “nga Kopru”.
Mehmeti u ngarkua me detyra të rëndësishme policore e ushtarake derisa u ngrit në rangun e Pashait. Gjatë viteve, Mehmet Qyprilliu krijoi miqësi të shumta në oborrin e sulltanit. Në vitin 1656 situata politike në Perandorinë Osmane ishte shumë kritike; Sulltani e thirri në Stamboll dhe e caktoi Kryevezir a Vezir i Madh (Kryeministër) – ai ishte 80 vjeç kur mori këtë detyrë.
Historianët thonë se para se të vdiste në moshën 86 vjeçare, Mehmet Qyprilliu i dha sulltanit disa këshilla si për shmebull: kurrë të mos emërojë një ministër që është shumë i pasur. Koprulu vdiq më 31 tetor 1661. Ai la pas një aparat të fortë administrativ, dhe një Perandori Osmane të fuqishme nga ana ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij, kufijtë e perandorisë osmane u shtynë deri afër Austrisë.