Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kjo tingëllon si fantashkencë, por duket se bakteret brenda trupit – të cila tejkalojnë qelizat me rreth 100-fish – shumë mirë mund të ndikojnë në dëshirën e një personi për të ngrënë atë që duan bakteret, dhe jo atë që do njeriu.
Në një artikull botuar javën e kaluar në revistën BioEssays, shkencëtarë nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, Universiteti i shtetit Arizona dhe Universiteti Nju Meksiko konstatuan se mikrobet ndikojnë sjelljen e ngrënies duke favorizuar konsumin e ushqimeve të veçanta me të cilat ato vetë rriten më mirë.
Bakteret kanë kapacitet për të manipuluar sjelljen me ndryshimin e sinjaleve nervore, duke ndryshuar receptorët e shijes, prodhimin e toksinave që e bëjnë njeriun të ndihet keq, dhe lëshojnë kimikate për ta bërë atë të ndihet mirë: me baktere 100 herë më shumë në numër sesa qelizat në trup, duket se njeriu jeton falë baktereve apo se njeriu varet nga bakteret dhe jo anasjellta.
Në fakt, evolucioni i tumoreve dhe i komuniteteve bakteriale janë të lidhura me disa baktere që zakonisht jetojnë brenda organizmit dhe shkaktojnë kancer në stomak dhe ndoshta kancere të tjerë.
Qëllimi i studimit të mikrobiomës është për të krijuar mundësi për parandalimin e një shumëllojshmërie sëmundjesh nga obeziteti dhe diabeti tek kanceri i stomakut dhe zorrëve. Kjo është një fushë krejtësisht e pashkelur studimesh, thonë autorët, prandaj puna mbi rëndësinë e mikrobiomeve është krejt fillestare.