Revista Discovery njoftoi para disa ditësh se fotografitë e reja të një varri të madh në kodrën Kasta në Amfipoli – ndërtuar gjatë kohës së Aleksandrit të Madh – tregojnë gjurmë të një afresku blu mbi një mur dhe një dysheme mozaik.
Datuar mes 325 pes – dy vjet pas vdekjes së Aleksandrit të Madh – varri gjendet në qytetin e lashtë të Amfipolit, në rajonin verilindor të Greqisë, rreth 65 kilometra nga Selaniku.
Spekullimet – se trupi i Aleksandrit të Madh mund të jetë varrosur aty – vazhdojnë. Kjo është gjithashtu shpresë apo barrë që arkeologët dhe historianët duhet ta shkarkojnë.
Historia thotë se pas vdekjes së Aleksandrit në Babiloni, tani në Irakun qendror, në vitin 323 pes, trupi i tij, në rrugë për në Maqedoni, u mor nga Ptolemeu (gjeneral i Aleksandrit) dhe u dërgua në Egjipt. Sarkofagu më pas u zhvendos nga Memfis në Aleksandri, kryeqytet i mbretërisë së Ptolemenjëve, dhe aty mbeti deri në fund të antikitetit të vonë (shek IV pes). Se ç’ndodhi më pas me trupin, nuk dihet.
Amfipoli, ka qenë një koloni athinase, që u pushtua nga Filipi i dytë i Maqedonisë më 357 pes. Nga ky qytet kishin prejardhjen shumë prej gjeneralëve të Aleksandrit të madh; në Amfipoli, gruaja e Aleksandrit, Roksana dhe djali i tyre Aleksandër IV u vranë në vitin 311 pes me urdhër të mbretit Kasandër të Maqedonisë.
Gërmimet kanë filluar tashmë për të zbuluar se kush është varrosur në këtë varr unik – më i madh i lashtë zbuluar ndonjëherë në këtë rajon.