Ndoshta kurrë nuk mund të mësohet saktësisht pse bashkë-piloti i linjës ajrore Germanwings, Andreas Lubitz, kreu atë që besohet të ketë qenë përplasje e qëllimshme në Alpet franceze, por ekspertë të shëndetit thonë se ndonjë sëmundje mendore që Lubitz mund të kishte pasur është vetëm një kontribues i mundshëm për këtë tragjedi.
Studimet tregojnë se shumica e njerëzve me çrregullime të shëndetit mendor nuk dëmtojnë njerëzit e tjerë. Faktorët si ndjenja e izolimit, zemërimi, apo abuzimi me drogë dhe alkool, shpesh implikohen në akte të paimagjinueshme, si rrëzimi qëllimisht i një aeroplani plot me njerëz.
Në shtëpinë e Lubitzit, hetuesit gjetën raportin e mjekut që e justifikonte Lubitzin për të mos shkuar në punë ditën e rrëzimit, si dhe një tjetër shënim që sugjeronte se Lubitz kishte probleme me shëndetin mendor.
Studimet sugjerojnë se sëmundjet mendore, përfshi depresionin dhe skizofreninë, lidhen me një shtim të rrezikut për krim të dhunshëm. Por edhe nëse Lubitz kishte probleme të tilla, kjo nuk shpjegon pse ai fluturoi një aeroplan plot me njerëz në vdekjen e tyre.
Një studim i kryer në Suedi ka gjetur se njerëzit me depresion kanë rreth tre herë më shumë gjasa për të kryer një krim të dhunshëm në krahasim me njerëzit pa depresion.
Megjithatë, përqindja e njerëzve me depresion të cilët kryejnë krime të dhunshme është jashtëzakonisht i ulët – vetëm 3,7 për qind e meshkujve dhe 0.5 për qind e femrave me depresion kryejnë krime të dhunëshme, krahasuar me 1,2 për qind të meshkujve dhe 0.2 për qind të femrave pa këto çrregullime që kryejnë krime të dhunëshme, thuhet në studimin në revistën mjekësore Lancet.
Studimet tregojnë se vrasjet masive janë kryer më shpesh nga njerëz nën 40 vjeç, shoqërisht të izoluar, të papunë, të abuzuar në fëmijëri dhe të hipnotizuar pas armëve.
Por kjo listë karakteristikash nuk është aq specifike, dhe autoritetet nuk mund ta përdorin pasi do t’u duhej të merrnin në shqyrtim një numër shumë të madh njerëzish.
Edhe pse disa vrasës në masë kanë histori me probleme të shëndetit mendor, studimet sugjerojnë gjithashtu se shumë prej tyre nuk kanë pasur një sëmundje aktive mendore në kohën që kryenin krime.
Hetuesit janë ende duke punuar për të përcaktuar nëse përplasja e aeroplanit Germanwings ishte vrasje-vetëvrasje. Krime të tilla janë të rralla – një studim mbi vetëvrasjet ka gjetur se nga më shumë se 110.000 vrasje, vetëm 8 për qind ishin vrasje-vetëvrasje.
One response to “Sëmundjet mendore dhe krimi i dhunshëm”
SEMUNDJET MENDORE JANE FATKEQESI E VETEVETES SE TYRE DHE SHANSET JANE MINIMALE PER TE VRARE NJEREZ NE GRUP ,VRASJET MASIVE VINE NGA KATEGORITE QE JANE TE IZOLUAR NGA FAMILJA ,DROGA ,ZEMERIMI I MADH DHE NJE FEMIJERI E DHUNUAR KEQAS ,PILOTI VRASES NE GRUP MUND TE KETE PASOJA TE MEDHA PER TE FSHEHUR NE FINANCAT APO NDONJE SEKRET TE MADH SHTETROR..