Pse gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të mirë? Kjo është një nga pyetjet më të vështira që ndeshet teologjia. Perëndia, thonë teologët, është i gjithëdijshëm, i gjithëfuqishëm, prandaj qeniet njerëzore (jo të gjithëdijshëm, jo të gjithëfuqishëm), kanë nevojë për ndihmën e Zotit.
Në Dhijatën e Vjetër, Perëndia lejoi Djallin të bënte çdo të keqe ndaj Jobit, madje edhe ta vriste. “Zoti ma ka dhënë jetën, Zoti mund të ma marrë”, tha Jobi i nënshtruar, dhe vazhdoi të besonte. Mbi këto baza, fillimisht njeriu ngriti pushtetin, me sundimtar të vetëquajtur ‘mëkëmbës i Zotit’ – titull që mendon se ende e ka, por nuk e thotë.
Pse gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të mirë? Përgjigja biblike është se nuk ka njerëz “të mirë”; të gjithë janë njollosur nga mëkati; të gjithë kanë dalë nga udha; të gjithë janë bërë të padobishëm, prandaj duhet dora e Perëndisë. Sundimtarët e përshtatën edhe këtë thënie, duke i detyruar njerëzit të besonin se mjerimi më i tmerrshme që mund të përjetojnë është i mëshirshëm në krahasim me atë që meritojnë, duke përligjur shkakun e vuajtjeve.
Një pyetje më e mirë do të ishte: Pse Zoti lejon gjëra të mira të ndodhin me njerëzit e këqinj? Nganjëherë të këqija u ndodhin njerëzve që duket se nuk i meritojnë. Teologët thonë se Perëndia lejon që gjërat të ndodhin për arsyet e Tij, dhe besimtarët e kuptojnë, duke vazhduar të besojnë në një profet a një tjetër. Këtë thonë edhe sunduesit, por njerëzit nuk shohin ndonjë arsye për vuajtjet e veta, prandaj në botë ka pasur, ka e do të ketë shtypje, luftra e konflikte, edhe ndërrime pushtetesh.