Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Për shumë vite, teknologjia me ultra-tinguj është përdorur nga gratë shtatzëna për të parë foshnjet e palindura. Tani, kjo teknologji është duke u përdorur nga gra e burra paksa të moshuar për t’i dhënë lëkurës së fytyrës një pamje më të re. Larraine Gerelik është 61 vjeç. Miqtë i thonë se ajo duket shumë më e re. Por kur shihet në pasqyrë, asaj nuk i pëlqen vetja. “Nuk jam e kënaqur me lëkurën e fytyrës, që është pjesa kryesore e trupit ku femra tregon moshën e saj”, thotë Larraine. Kështu, ajo mendoi se kishte ardhur koha për një trajtim të fytyrës dhe shkoi në klinikën e doktor Brian Biesman në Nashville të shtetit Tenesi. Doktor Biesman përdor një pajisje kozmetike me ultra-tinguj për tendosjen e lëkurës së fytyrës. Pajisja krijon nxehtësi dhe lëviz në pjesët ku pacienti dëshiron të përmirësojë cilësinë e lëkurës. Rezultati është i njëjtë me atë të operacionit plastik, por pa bisturi. Pajisja i lejon mjekut për të marrë imazhe me ultratinguj dhe kështu përcaktohet thellësia, energjia dhe nxehtësia e nevojëshme për trajtimin përkatës. Pajisja është prodhim i firmës ULTHERA, dhe ka vite që përdoret në disa vende të botës, ndërsa në Shtetet e Bashkuara vetëm pak muaj, pas miratimit nga Agjencia e ushqimeve dhe Barnave. Tani për tani, doktor Brian Biesman është i vetmi mjek në Tenesi që ka në klinikën një pajisje të tillë. “Rezultat janë shumë të mira”, thotë ai. Kështu thotë edhe Loarraine, e cila ka trajtuar fytyrën e saj me ultratinguj. “Trajtimi nuk është pa dhimbje, por ndryshimi në pamje është i dukshëm”, thotë ajo.