Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Dihet se kanceri shton rrezikun e formimit të grimcave të gjakut të mpiksur. Një studim i ri ku u përfshinë më shumë se 75.000 pacientë me kancer në prostat, tregon se grimcat e gjaku të mpiksur kishin më shumë gjasa të formoheshin tek pacientët që trajtoheshin me terapinë endokrinë, e quajtur ndryshe terapi hormonale kundër kancerit. Studimi arrin në përfundimin se burrat që i nënshtrohen një trajtim të zakonshëm kundër kancerit të prostatës përballen me rrezikun për mpiksje gjaku, që mund të rrezikojë jetën e tyre. Studimi u krye nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh, të cilët analizuan të dhënat e mbledhura gjatë një preriudhe 10 vjeçare.
Në përgjithësi, rezultatet treguan se burra me kancer në prostatë kishin më shumë gjasa për të zhvilluar blloqe të mpiksura gjakut se sa burrat pa këtë sëmundje.
Edhe pacientët që i nënshtroheshin trajtimit hormonal kundër kancerit ishin dy herë e gjysmë më shumë në rrezik nga mpiksja e gjakut sesa njerëzit e tjerë në përgjithësi .
Ky rrezik ishte veçanërisht i lartë për meshkujt nën 65 vjeç dhe për pacientët me kancer më të zhvilluar.
Rezultatet e studimit tregojnë rëndësinë e shqyrtimit të pasojave të mundshme anësore në sistemin e qarkullimit të gjakut gjatë trajtimit të kancerit të prostatës, sidomos kur përdoret terapia me hormone.