Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sipas udhëzimeve të reja për diagnostikimin e sëmundjes Alzheimer, ekspertët tani njohin tri faza të çrregullimit të humbjes së kujtesës që përfundimisht çon demecia të plotë dhe vdekje. Në vitin 1984, ekspertët e përcaktuan Alzheimeri si sëmundje që sjell humbje të rëndë të kujtesës, humbje të aftësisë së të menduarit dhe të mosfunksione të tjera të trurit.
Por që nga ajo kohë, shkencëtarët kanë mësuar shumë më tepër në lidhje me sëmundjen – se Alzheimeri fillon shumë vite para se të shfaqen simptomat. Në këtë fazë para-klinike, truri kalon nëpër ndryshime që mund të dallohen nëpërmjet skanimeve me rezonancë magnetike MRI dhe analiza të tjera.
Ndërsa sëmundja përparon, simptomat fillojnë të bëhen të dukëshme. Studiuesi Clifford Jack në klinikën Mayo thotë se kjo fazë e dytë është quajtur humbje e lehtë e kujtesës.
“Kjo është një fazë, ku tek pacientët fillojnë të shfaqen simptoma klinike, si humbja e kujtesës, por dëmtim nuk është aq i rëndë sa për të penguar pacientët në kryerjen e veprimtarive të përditëshme”
Dr. Jack është autori kryesor i disa punimeve shkencore ku përshkruan dhe diskuton mbi udhëzimet e reja të diagnostikimit në revistën “Alzheimer’s & Dementia”
Ai thotë se udhëzimet e reja nuk do të kenë ndikim të menjëhershëm në mënyrën e trajtimit të pacientëve me Alzheimer. Megjithëse shumica e trajtimeve aktuale nuk sjellin ndonjë përmirësim, thotë ai, por për studiuesit, kriteret e reja janë shumë të rëndësishme në kërkim të një terapie që jep rezultate.
“Këto udhëzime përcaktojnë kriteret diagnostikuese që mund të përdoren për të identifikuar se cilët pacientë mund të përfshihen në prova klinike. Dhe pjesa më e rëndësishme këtu është se provat klinike duhet të synojnë njerëzit tek të cilët sëmundja ndodhet në fazat më të hershme”
Dr. Jack thotë se shumë shkencëtarë besojnë se barnat kundër Alzheimerit janë kryesisht të paefektshme sepse ato u jepen pacientëve që tashmë kanë humbur kujtesën dhe aftësitë njohëse. Udhëzimet e reja do të ndihmojnë shkencëtarët të identifikojnë njerëzit në fazat e hershme të sëmundjes – para se të shfaqen simptomat – dhe nëpërmjet vëzhgimeve të shihet nëse ilaçet në fazë të herëshme mund të ndikojnë rrjedhën e sëmundjes.
Udhëzimet mbi Alzheimerin u hartuan ngaInstituti Kombëtar për Plakjen në bashkëpunim me Shoqatën e Alzheimerit.