Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim i ri botuar në revistën mjekësore të Akademisë Amerikane të Neurologjisë sugjeron se madhësia e trurit mund të jetë një tregues i rrezikut për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer.
Studimi i botuar në revistën “Neurologji” zbulon se të moshuarit kishin më shumë gjasa për të zhvilluar simptomat e herëshme të Alzheimerit nëse disa rajone të veçanta të trurit të tyre ishin të vogla.
Shkencëtarët studiuan skanimet e trurit të 159 personave në moshë mesatare 76 vjeç, të cilët nuk vuanin nga demenca. Skanimet u përdorën për të matur trashësinë e lëvores së trurit (cortex).
U zgjodhën këto pjesë të trurit pasi studimet e mëparëshme kanë treguar se ato tkurren tek pacientët me Alzheimer. Lëvorja e trurit përbëhet nga inde nervore dhe luan një rol kyç në kujtesën, vëmendjen, perceptimin, mendimin, gjuhën, dhe vetëdijen. Lëvorja cerebrale e njeriut është 2-4 mm e trashë.
Gjatë tre viteve, personave të përfshirë në studim iu dhanë provime të ndryshme mendore për të përcaktuar shkallën e kujtesës.
Mes 159 pjesmarrësve, 12 përqind u klasifikuan me rrezik të lartë të zhvillimit të demencës. Shumica, 73 përqind u klasifikuan me rrezik mesatar dhe 15 përqind me rrezik të ulët.
Gjithashtu, numri i personave me humbje të aftësisve njohëse ishte më i madh në grupin e atyre me rrezik të lartë të demencës.
Autorët e studimit thonë se kërkime të tjera nevojiten për të parë se në ç’mënyrë skanimi me rezonancë magnetike (MRI) mund të përdoret krahas analizave të tjera për të njëjtësuar simptomat e Alzheimerit që në fazat më të herëshme.