Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Goditja në zemër tek njerëzit që përjetojnë stres të rëndë, aktualisht mbron zemrën nga nivelet e larta të adrenalinës, thuhet në një studimi të ri, botuar në revistën Circulation.
Ky është studimi i parë që jep një shpjegim fiziologjik për sëmundjen ‘Takotsubo cardiomyopathy’, e cila quhet edhe ‘sindroma e zemrës së thyer’, sepse prek kryesisht njerëzit që provojnë stres të rëndë emocional.
Rreth 2% e njerëzve për të cilët fillimisht dyshohen se kanë pësuar goditje në zemër është zbuluar se ata janë prekur nga ‘sindroma e zemrës së thyer’. Studimi sugjeron edhe mënyra për trajtimin e saj.
Autorët e studimit thonë se duke simuluar kushtet e kardiomiopathisë tek një mi në laborator, ata vunë re se trupi ndryshon reagimin ndaj adrenalinës duke nxitur zemrën për të pakësuar fuqinë e pompimit – edhe pse kjo rezulton në dështim akut të zemrës, shumica e pacientëve shërohen plotësisht brenda pak ditësh apo javësh.
Studimi u krye nga shkencëtarë pranë Kolegjit të Londrës, të cilët mendojnë se ndryshimi i reagimit ndaj adrenalinës mund të ketë evoluar për të mbrojtur zemrën nga vërshimi i tepruar i adrenalinës që trupi çliron gjatë stresit.
Pacientët me ‘Takotsubo cardiomyopathy’, më shpesh gratë, provojnë simptoma që i ngjajnë një goditjeje në zemër, por analizat e zemrës nuk zbulojnë ndonjë bllokim në arteriet koronare. Autorët e studimit thonë se e njëjta gjë është vënë re edhe tek disa pacientë që janë injektuar me adrenalinë për të trajtuar reaksione të rënda alergjike. Ata besojnë se kardiomyopathia mund të jetë mënyrë mbrojtëse nga një dëm shumë më serioz, pasi duke pakësuare fuqinë e pompimit të zemrës ajo i pret rrugën shtimit të niveleve toksike të adrenalinës në zemër.
Edhe pse studimi ofron njohuri të reja se si zemra mund të mbrojë veten nga stresi, ekspertët paralajmërojnë se për të qenë të sigurta, rezultatet duhet të konfirmohen me prova klinike në njerëz.