Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Dihet se shumë dieta ndihmojnë për të rënë nga pesha, por sfida është që pesha e humbur të mos kthehet.
Shkencëtarët në qëndrën Stanford për kërkime në fushën e parandalimit të sëmundjeve sugjerojnë se njerëzit duhet të dijnë se si t’i shmangin kilogramët e humbur para se t’i humbin ato.
Studiuesit thonë se pasi bien nga pesha, njerëzit kanë prirje për të hequr dorë nga ndryshimet e bëra në stilin e jetesës gjatë dietës me ushqime të shëndetëshme dhe ushtrime fizike – ndoshta të kënaqur me veten dhe me atë që kanë arritur fizikisht.
Studimet kanë treguar se brenda vitit të parë pas ndërprerjes së një dietës, njerëzit vënë përsëri 30% deri 50% të peshës humbur.
Shkencëtarët donin të dinin nëse njerëzit mund të mësohen se si t’a ruajnë peshën e humbur.
Ata shqyrtuan gjendjen e 267 grave mbipeshë dhe tepër mbipeshë për 28 javë, duke i ndarë në dy grupe.
Një grup shpenzoi 8 javët e para për të mësuar aftësitë e ruajtjes së peshës së humbur.
Grupi tjetër u përqëndrua në humbjen e peshës dhe shpenzoi 8 javët e fundit për të mësuar se si t’a ruante peshën e humbur.
Në fund të 28 javëve, gratë në të dy grupet kishin humbur 10 kilogram të peshës trupore.
Një vit më vonë, gratë e grupit të parë kishin rifituar mesatarisht vetëm 1 kilogram nga pesha e humbur, ndërsa gratë e grupit tjetër kishin rifituar rreth 4 kilogram.
Pra, sa më të informuar para fillimit të dietës, aq më pak gjasa që kilogramët e humbura të kthehen.