Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Erëzat i japin shije ushqimit, por ato edhe mund të dëmtojnë shëndetin. Dhe ja pse:
Një studim i paraqitur në Shoqatën Amerikane të Alergjive, Astmës dhe Imunologjisë thotë se 2 për qind e të gjitha alergjive ushqimore shkaktohen nga erëzat.
Dhe alergjia nuk është çështje e lehtë. Ajo e detyron personin të mbajë një dietë të rreptë, prek cilësinë e jetës dhe në raste ekstreme mund të shkaktojë edhe kequshqyerje.
Por edhe problemi me erëzat nuk është i lehtë. Ato janë të vështira të shmangen pasi në etiketat e ushqimeve nuk shënohen si të pranishme.
Administrata amerikane për kontrollin e cilësisë së ushqimeve ende nuk e sheh të nevojshëm identifikimin e erëzave në ushqime.
Dhe erëza nuk janë vetëm në ushqime.
Ato gjithashtu përdoren gjerësisht në kozmetikë dhe produkte dentare.
Një problem tjetër – shumë njerëz nuk e dinë se janë alergjikë nga erëzat sepse kjo lloj alergjie nuk mund të përcaktohet me anë të ndonjë analize. Prandaj, eksertët këshillojnë se mënyra më e mirë për të parandaluar një alergji nga erëzat mund të jetë pakësimi i konsumit të tyre.