Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Çdo e mirë ka një të keqe – një terapi efektive për një sëmundje – gjithashtu vjen me një çmim – rrit rrezikun për një tjetër sëmundje po vdekjeprurëse.
Më shumë se 230 mijë gra amerikane pritet të diagnostikohen me kancer në gji këtë vit, sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane e Kancerit.
Terapia me rrezatim në gjoks është përdorur shpesh pas ndërhyrjes kirurgjike për të pakësuar gjasat e kthimit të kancerit në indet e mbetura të gjirit.
Por një studim në revistën mjekësore të Nju Englandit konstaton se rrezatimi – megjithëse efektiv kundër kancerit të gjirit – rrit rrezikun për sëmundje kryesore në zemër.
Kjo për shkak se rrezet depërtuese kalojnë gjirin duke arritur në zemër dhe në arteriet për rreth.
Gratë që marrin rrezatim në gjirin e majtë – që është më afër zemrës – janë veçanërisht në rrezik të lartë.
Dhe këto rreziqe mund të zgjasin për dekada pas mbarimit të trajtimit me rreze. Megjithatë, në përgjithësi përfitimet peshojnë më shumë sesa rreziqet. Dhe sot ka shumë mënyra për të monitoruar dhe për të administruar terapitë rrezatuese që zvogëlohet rreziku për prekjen e zemrës.