Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Edhe pse kalciumi (Ca) është një prej shtojcave më të zakonshme dietetike, dobia e tij shpesh është debatuar.
Një studim i ri në “Journal of Clinical Endocrinology” mori në shqyrtim mbi 9 mijë pacientë, dhe nuk zbuloi ndonjë lidhje midis marrjes së kalciumit dhe rrezikut të vdekjes për burrat.
Por marrja e kalciumit shtesë, qoftë nëpërmjet ushqimit ose tabletave, pakësoi rrezikun e vdekjes për gratë gjatë një periudhe 10-vjeçare.
Me marrjen e kalciumit shtesë, ky rrezik ishte më i ulët në krahasim me rrezikun që përballeshin gratë nëse nuk merrnin fare kalcium shtesë.
Përfitimet u vunë re vetëm tek gratë që morrën doza deri në 1 mijë miligram kalcium në ditë – pavarësisht nëse ishte e përzier me vitaminë D shtesë, tablet që shpesh kombinohet me kalcium.
Megjithë këto rezultate, autorët e studimit thonë se rreziqet dhe përfitimet nga kalciumi dhe vitamina D, ende vazhdojnë të mos kuptohen plotësisht.