Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Keni lexuar ndonjë libër kohët e fundit? Nëse përgjigja është “PO” – atëherë keni kontribuar në shëndetin tuaj mendor.
Demenca apo degradimi mendor ndodh kur truri humbet aftësinë për të kujtuar dhe arsyetuar.
Llogaritet se vetëm në SHBA, rreth 5 milionë njerëz vuajnë në një farë shkallë nga demenca, që prek kryesisht personat e moshuar.
Një studim i kohëve të fundit në revistën “Neurology”, thotë se mbajtja e trurit në gjendje aktive mund të ndihmojë shmangien e këtij përkeqësimi mendor.
Shkencëtarët morrën në shqyrtim rreth 300 persona në një moshë mesatarisht 89 vjeç dhe i ndoqën ata për 6 vjet.
Vëzhgimet treguan se tek personat që gjatë jetës së tyre kishin qenë aktivë mendërisht duke lexuar e shkruar u vu re një humbje më e ngadalshme e kujtesës, në krahasim me personat që nuk kishin lexuar ose kishin lexuar rrallë.
Ndërsa njerëzit që lexonin ose shkruanin në vitet e pleqërisë kishin 32 për qind më pak gjasa për t’u prekur nga degradimi mendor, në krahasim me të tjerë të moshuar që pak e vinin trurin në punë.
Autorët e studimit thonë se ushtrimi i mendjes duke filluar që nga fëmijëria e në vazhdim është i rëndësishëm për shëndetin e trurit gjatë jetës e veçanërisht në moshë të thyer.
One response to “Leximi, shkrimi dhe kujtesa”
[…] shkencëtarët skanuan trurin e fëmijëve, zbuluan se ata që kishin dalë dobët në provim kishin dallime në një zonë të […]