Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sëmundjet në zemrës dhe goditjet në tru janë shkaktarë kryesorë të vdekjeve në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vetëm sëmundjet kardiovaskulare marrin jetën e më shumë se 17.000.000 njerëzve në vit. Në SHBA, shkalla e të mbijetuarit është 1 me 10 për viktimat e goditjeve të zemrës. Kjo statistikë që nuk ka ndryshuar në 3 dekada, por nuk don të thotë se nuk mund të përmirësohet, thuhet në një studim.
Shkencëtarët në Universitetin e Michiganit arritën në përfundimin se në qoftë se njerëzit që jetojnë në lagje të varfëra marrin instruksione se si të kryejnë frymëmarrje artificiale ose CPR për viktimat i një sulmi në zemër, shanset e këtyre pacientëve për të mbijetuar shtohen dukshëm.
Gjatë studimit u vu re se njerëzit në lagje të varfër kanë 2 deri 3 herë më shumë gjasa që të preken nga një goditje në zemër, në krahasim me ata që jetojnë në një zonë të pasur të qytetit.
Edhe ndryshimi në stilin e jetesës, barnat e reja dhe trajtimet mjekësore mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Gjatë dekadës së fundit numri i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare ka rënë deri në 35 përqind. Rreth 48 për qind e kësaj ulje ishte rrjedhim i përmirësimit në faktorët e rrezikut, siç është lënia e duhanit. Kjo ka sjellë ulje të rasteve të presionit të gjakut dhe kolesterinës së lartë. Gjithashtu gjatë 10 vjetëve të fundit, mjekët kanë shtuar dhënien e recetave për barna trajtimi, dhe të gjithë këta faktorë së bashku kanë sjellë një pakësim të rasteve të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare. Rezultatet e studimit u botuan në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë (JAMA).