Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Mendohet se tensioni i lartë i gjakut është sëmundje që zakonisht nuk lidhet me fëmijët. Për fat të keq, mjekët po shohim gjithnjë e më shumë fëmijë mes pacientëve të tyre me këtë problem.
Sipas të dhënave qeveritare, një e treta e të rriturve amerikanë kanë hipertension, ose tension të lartë gjaku. Por në një shkrim në revistën “Hypertension”, thuhet se më shumë fëmijë e adoleshentë janë duke u diagnostikuar me këtë sëmundje.
Studiuesit krahasuan dy grupe të rinjsh 8 deri 17 vjeç; një grup nga viti 1988 deri me1994 dhe grupi tjetër nga viti 1999 deri më 2008.
Në grupin e parë (1988-1994), 15.8 për qind e djemve dhe 8.2 përqind e vajzave kishin tension të lartë gjaku.
Në grupin e dytë, pak vite më vonë, shifrat u rritën; 19.2 për qind e djemve dhe 12.6 për qind e vajzave kishin tension të lartë.
Shkencëtarët gjithashtu vunë re një lidhje mes natriumit apo marrjes së kripës – që ndikoi në rritjen e treguesit të masës së trupit ose BMI – dhe rritjes së tensionit të gjakut të këtyre fëmijëve.
Autorët thonë se marrja e kripës tek fëmijët është në rritje – dhe përkundër
shqetësimeve të ngritura më parë – vazhdon të rritet.
Dhe problemi kryesor është se tensioni i lartë i gjakut mund të çojë në dëmtime – shpesh të pariparueshme – të organeve për këtë grupmoshë.