Kur syri përqëndrohet për shumë kohë mbi sende a objekte këto fillojnë të duken të çuditshme. Kur gjërat merren si të qena ato e bëjnë njeriun të bërtasë a të qeshë. Çdo gjë ka thelbin e vet, disa e shohin, të tjerët jo.
Përpjekjet e rrezikshme mund të jenë vdekjeprurëse. Përse kjo thirrje e brendshme për të ndërmarrë hapa të rrezikshëm?Psikologë thonë marrja përsipër e rrezikut rrjedh nga nevoja e njeriut për të tërhequr vemendjen e seksit tjetër. Burrat përballen me konkurrencë intra-seksuale më shumë sesa femrat, dhe tendenca për të ndërmarrë më shumë rreziqe, është kur njerëzit janë në grup.
Dhimbja e kockave nuk është gjë e mirë, as qëndrimi këmbë përmbi këmbë një kohë të gjatë, ose zgjimi natën me dorë të vdekur, të mpirë, që gradualisht vjen përsëri në jetë. Nga se shkaktohet mpirja? Kjo ndodh kur aplikohet peshë shtesë mbi një fije nervore, duke penguar përkohësisht funksionin e saj.
Pamja 3-D është mashtrim i mendjes. Truri shfrytëzon pabarazinë binokulare mes imazheve që shihen nga sytë, të majtë dhe të djathtë. Kështu, për një skenë, truri përdor dy versione të gabuara për të rindërtuar thellësinë e asaj që sheh. Kur shikon gjërat në lëvizje, njeriu vlerëson afërsisht diferencën e shpejtësisë me të cilën objektet lëvizin, ndërsa kalojnë përpara syve.
Pa marrë parasysh se sa shumë mund të përpiqet për t’u fokusuar në një detyrë të përditshme, si larja e dhëmbëve ose pirja e kafesë, njeriu nuk mund ta ndalë mendjen. Për fat të mirë, këto periudha të shkurtra janë jetike për krijimtari dhe mendim imagjinativ. Studimet tregojnë se vëmendja ndryshon; 13 për qind të kohës njeriu e shpenzon në gjendje kur bën një gjë dhe mendon diçka tjeter; gjatë kësaj periudhe ai është i lirë, dhe del me thirrjen ‘Eureka!’, ose të paktën me një ide spontane dhe interesante.
Kapakët e syve hapen e mbyllen, duke mos lejuar hyrjen e grimcave të pluhurit, si dhe përhap lëngjet që lubrifikojnë syrin. Për këtë, njeriu zhytet në errësirë çdo 2 deri 10 sekonda. Shkencëtarët thonë se truri i njeriut priret për t’i injoruar këto ndërprerjet të çastit, ndoshta që bota të përjetohet si vazhdimësi.
Qeshja është e pazakontë. Psikologët mendojnë se qeshja shërben si sinjal për të tjerët duke përhapur emocione pozitive, pakëson stresin dhe kontribuon në marrëdhëniet në grup. Në fakt, studimet supozojnë se e qeshura ka evoluar nga shfryrja dhe gulçimi.
Është e çuditëshme kur mendohet se shkëmbimi i pështymës është romantik. Puthja lejon njerëzit të përdorin erën dhe shijen për të vlerësuar njëri-tjetrin. Fryma dhe pështyma japin sinjale kimike nëse njerëzit janë të shëndetshëm apo të sëmurë, ose partnerë të mundshëm në riprodhim. Për më tepër, lëkura rreth hundës dhe gojës është e veshur me yndyrna që përmbajnë feromone, kimikate të cilat informojnë mbi përbërjen biologjike të një personi. Kur njerëzit shkëmbejnë feromonet, gjatë një puthje, ata, pavetëdije, tërhiqen ose jo ndaj njëri tjetrit, në varësi të asaj që kanë zbuluar. Psikologët besojnë se puthja ndihmon marrëdhëniet njerëzore, dhe këtë e mbështesin me faktin se një hormon rrit ndjenjat për shoqërim, dashuri dhe besim, të cilat përmbytin trurin kur gojët puthen.
Reagimi me skuqje të faqeve është përgjigje universale njerëzore. Gjithkush preket prej skuqjes; kur takon dikë të rëndësishëm, kur merr një kompliment dhe kur përjeton një emocion të fortë. Skuqja biologjike vepron kur venat në fytyrë zgjerohen dhe më shumë gjak rrjedh në to. Megjithatë, shkencëtarët nuk dinë të përgjigjen; pse ndodh skuqja, ose çfarë funksioni ka.
Njeriu vdes sepse qelizat vdesin. Brenda çdo qelize, telomeret në fund të kromozomeve përmbajnë informacionin gjenetik të jetës,. Përfundimisht, kur njeriu moshohet, ky informacion humbet, qelizat nuk mund të ndahen më, dhe njeriu vdes. Shkencëtarët janë duke punuar se si ta zgjasin jetën e njeriut, dhe mendojnë se një ditë mund ta dyfishojnë atë.
Njeriu shpenzon afërsisht një të tretën e jetës në gjumë. Gjumi lejon mirëmbajtjen e trupit, ndërsa prodhimi i kimikateve ndodh gjatë orëve zgjuar. Gjumi është më i gjatë gjatë periudhave të rritjes së trurit, në fëmijëri. Njeriu nuk mund të jetojë gjatë pa gjumë. Më 1977, libri i rekordeve Guiness regjistron një person që kishte qëndruar 18 ditë e 17 orë pa gjumë.
Lemza është spazmë e pavullnetshme e membranës së diafragmës muskuloze në gjoks – pasojë nervore e pranisë së shumë ose pak ushqimeve në stomak. Edhe pse lemza shihet si e padobishme dhe e bezdisshme, mendohet se ajo nuk i shërben ndonjë qëllimi. Një teori thotë se lemza mund të jetë mbetje e një refleksi të gjoksit nga kohët primitive.
Ujë del nga sytë, kur njeriu qan. Mes të gjitha kafshëve, vetëm njeriu mund të derdhë lotë emocioni. Shkencëtarët besojnë se lotët përbëhen nga hormone dhe proteina që janë prodhuar gjatë periudhave të stresit – kjo mund të shpjegojë lehtësimin që njeriu ndjen pas të qarit.