Trajtimi i kancerit është ndonjëherë një proces provash dhe gabimesh, sepse çdo ilaç ose kombinim i tij nuk jep të njëjtin rezultat për të gjithë pacientët. Koha e çmuar mund të humbasë ndërsa mjekët kërkojnë për barnat e duhura për të goditur përsëri një tumor.
Dy ekipe kërkimore thonë se kanë gjetur mënyra për të shpejtuar procesin duke lejuar mjekët të provojnë trajtime të shumta njëherësh: Trajtimi i parë kryehet nga një pajisje implantuese, dhe tjetri nga një pajisje e veçantë injeksioni.
Pajisja e quajtur CIVO përfshin deri në tetë gjilpëra dhe mund të përdoret për të injektuar barna në tumore që janë afër sipërfaqes së lëkurës së një personi.
Gjilpërat ushtrojnë presion në tumor dhe pastaj tërhiqen, duke lënë pas gjurmë ilaçi.
Tre ditë më vonë, studiuesit heqin një pjesë të tumorit dhe shqyrtojnë qelizat për të parë efektin e çdo ilaçi – nëse injeksioni ka vrarë qelizat e tumorit, nëse ka ngadalësuar rritjen e tyre ose nëse është pa efekt. Kjo analizë mund t’u tregojë mjekëve nëse një ilaç i caktuar ose grup ilaçesh do të jetë më efektiv.
Deri tani, pajisja është testuar në minj, dhe në 4 njerëz që kishin limfoma, dhe nyje limfatike të zgjeruar. Pacientët thanë se me injeksione ndjenë shumë pak dhimbje.
Ndërkohë, në MIT, shkencëtarët kanë krijuar një pajisje cilindrike në madhësinë e një kokërr orizi, e mbushur me tuba mikroskopike. Çdo tub përmban një ilaç, dhe e gjithë pajisja mban deri në 30 barna.
Pajisja cilindër është projektuar për t’u futur në tumor thellë në trup, dhe i lejon ilaçet të kalojnë nga tubat në indet kanceroze.
Deri tani, pajisje implant është provuar vetëm në minj, dhe përjekje po bëhen për prova klinike në njerëz.
Aftësia për të provuar barna me pajisje të tilla mund ta bëjë kimioterapinë më të lehtë për pacientët, sepse mjekët mësojnë më herët nëse ilaçe të caktuara janë të efektshme për një pacient të caktuar – në raste të tilla pacientët nuk e kanë të nevojëshme të durojnë trajtime jo efektive kimo dhe efektet e tyre anësore.
Disa ilaçe, gjithashtu, i bëjnë pacientët të sëmurë, dhe këto pajisje nëse nuk bëjmë asgjë më shumë, të paktën do të parandalonin këto pasoja të dëmshme.