Zëri i Amerikës
Një studim i ri tregon se niveli i mbipeshës mes amerikanëve ka pësuar një rritje në 37 shtete. Për shembull, në Kolorado, 20 përqind e popullatës janë mbipeshë. Por kilogramët e tepërt rëndojnë edhe mbi shëndetin e përgjithshëm, duke ndikuar që rastet e diabetit të tipit 2 të shënonin rritje në 26 shtete.Në vitin 1980, 15 përqind e amerikanëve ishin mbi peshë. Sot kjo shifër arrin në 30 përqind, pa shenja se mund të zbresë. Sipas një studimi nga Fondacioni për Shëndetin e Amerikës, Shtetet e Bashkuara morrën notë ngelëse përsa i përket kontrollit të nivelit të mbipeshës. Vitin e kaluar, niveli i mbipeshës u rrit në 37 shtete, me shtetin Delauer ku ritmet e rasteve të tilla ishin më të shpejta se në çdo shtet tjetër. Vetëm shteti Kolorado kishte një nivel mesatar të mbipeshës prej 20 përqind me një rritje prej 1 përqind në krahasim me vitin 2006. Në shtetet Misisipi, Tenesi e Arkansa rastet e mbipeshës mes banorëve kanë arritur në nivelin më të lartë ku 1 në 3 veta mes të rriturve është mbipeshë. Shtimi i kilogramëve do të thotë shtimi i problemeve shëndetësore dhe shpenzimeve që lidhen me to. Kostoja vjetore për trajtimin e mbipeshës në Shtetet e Bashkuara tashmë arrin në 61 miliardë. Shumë prej këtyre fondeve shkojnë për trajtimin e diabetit të tipit 2 që shkaktohet nga mbipesha.