Zëri i Amerikës
Njerëzit me sindromë metabolike janë gjithnjë e më shumë në rrezik për t’u prekur nga sëmundje në zemër për shkak të nivelit jo normal të sheqerit në gjak, kolesterinës dhe presionit të gjakut. Sipas një studimi, shtimi në dietën mesdhetare i një sasie të vogël arrash, bajamesh ose lajthish mund t’i ndihmojë ata që të përmirësojnë gjendjen e tyre.
Dieta mesdhetare – e pasur me perime, peshk dhe mish – lidhet me rastet e përmirësimit të gjendjes së pacientëve me diabet e sëmundje në zemër. Por përshtatja e kësaj diete mund të sjellë përfitime të tjera më të mëdha. Shkencëtarët në Spanjë zgjodhën 1200 vetë për të ndjekur një dietë mesdhetare me pak yndyrna, duke i shtuar vaj ulliri, dhe dietë mesmdhetare duke i shtuar cdo ditë disa ara, bajame ose lajthi.
Rezultatet treguan se personat që shtuan arra në dietën e tyre kishin 70 përqind gjasa për të rregulluar metabolizmin e tyre, në krahasim me personat që përdorën ditetë me yndyrna të pakta. Në përgjithësi, 14 përqind e atyre konsumuan çdo ditë arra përmirësuan funksionet e metabolizmit, krahasuar me 7 përqind të atyre që konsumuan vaj ulliri dhe vetëm 2 përqind të atyre që përdorën dietë me yndyrna të pakta.