Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Astma është sëmundja më e rëndë kryesore që prek fëmijët në Shtetet e Bashkuara. 7 milionë prej tyre vuajnë nga astma. Sipas një studimi botuar në revistën mjekësore mbi sëmundjet e frymëmarrjes, midis astmës dhe vitaminës D ekziston një lidhje dhe se mungesa e vitaminës D në organizëm duket se luan rol në shkaktimin e sulmeve nga astma. Gjatë studimit, shkencëtarët vunë re se nivelet e ulta të vitaminës D ndikuan në shtimin e rasteve të shtrimit në spital të pacientëve me astma dhe hiperaktivitet të mushkërive.
Nivelet e ulta të vitaminës D vihen re shpesh tek fëmijët dhe tek 25 përqind e të rinjve e të rejave. Vitamina D luan rol kryesor në rritjen dhe zhvillimin e kockave, duke e bërë të nevojëshme marrjen e kësaj vitamine edhe në rastet kur fëmijët nuk vuajnë nga astma.
Shkencëtarët thonë se rezultatet e studimit janë tepër paraprake për të rekomanduar vitaminën D shtesë edhe për fëmijët me astmë. Por deri në kryerjen e studimeve të mëtejshme, shkencëtarët thonë se prindërit e fëmijëve me astmë duhet të sigurohen që këta fëmijë të marrin çdo ditë vitaminë D nëpërmjet ushqimeve si qumësht dhe peshk. Sigurisht edhe dielli është një tjetër burim kryesor për vitaminë D.