Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit kancerin e zorrës së trashë mes sëmundjeve më vdekjeprurëse. Në vitin 2004, rreth 639-mijë njerëz në mbarë botë vdiqën nga kanceri i zorrës së trashë. Në qoftë se diagnostikohet në kohë, ky lloj kanceri mund të trajtohet efektshëm me kirurgji dhe kimioterapi. Por një studim i kohëve të fundit, botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, tregon se pacientëve të moshuar me kancer jo gjithmonë u ofrohet një tjetër mundësi trajtimi që mund të zgjasë jetën e tyre.
Marty Petcoff është operuar nga kanceri në zorrën e trashë që kishte arritur në fazën e tretë. Kanceri quhet i fazës së tretë kur përhapet përtej shtresave të mesme të zorrës së trashë dhe ka shumë të ngjarë t’i jetë afruar nyjeve limfatike.
Marty është optimist se trajtimi me kimioterapi pas operimit, do të jetë i suksesshëm.
Petcoffi dhe pacientë të tjerë të moshuar jo gjithmonë i nënshtrohen kimioterapisë. Për asrye të moshës, mjekët zakonisht nuk e rekomandojnë.
Shkencëtarët kryen një studim mes 675 pacientë të diagnostikuar me kancerin e zorrës së trashë në fazën e tretë. Të gjithë ata ishin trajtuar me operacion.
Mes 202 pacientëve mbi moshën 75 vjeç, vetëm gjysma (101) u pranuan të trajtoheshin edhe me kimioterapi, një mundësi që iu dha 87 për qind të pacientëve më të rinj në moshë, pjesmarrës në studim.
Dr. Katherine Kahn dhe grupi i shkencëtarëve të korporatës Rand që kryen këtë studim, arritën në përfundimin se pacientët e moshuar që morrën trajtimin shtesë me kimoterapi e përballuan atë njësoj si pacientët më të rinj në moshë.
Por gjatë terapisë u bënë disa dallime; pacientëve të moshuar iu dha kimoterapi me doza më të vogla dhe për një periudhë kohe më të shkurtër sesa pacientëve më të rinj në moshë. Por tek pacientët e moshuar u vunë re më pak efekte anësore nga barnat kimoterapike sesa tek pacientë të rinj.
Një anketë mes mjekëve në vitin 2008, kishte arritur në përfundimin se efektet e mundëshme anësore përbëjnë një arsye që mjekët nuk rekomandojnë trajtim shtesë me kimoterapi për pacientët e moshuar që ishin operuar nga kanceri në zorrën e trashë.
Doktoresha Kahn thotë se dhënat e studimit të fundit tani tregojnë se më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet aftësisë fizike të pacientit për të përballuar kimoterapinë. Mjekët, thotë ajo, nuk duhet të bazohen automatikisht tek mosha e pacientit për të rekomanduar ose jo trajtimin me kimoterapi.