Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Përfitimet shëndetësore te acideve yndyrore omega-3 janë të dokumentuara mirë. Mishi i peshkut është i pasur me omega-3. Por rëndësi kyçe ka edhe mënyra sesi gatuhet peshku: Ka me shume vlera ushqimore i pjekur apo i skuqur?
Në një studim të ri nga shkencëtarë të universitetit George Washington, u morrën në shqyrtim mbi 90-mijë gra nga mosha 50 deri79 vjeç. Gratë e kësaj moshe, pas-menopauzës, janë të njohura për një rrezik në rritje për infarkt në zemër. Studimi zbuloi se gratë që konsumonin gjatë një jave të paktën 5 racione peshku të pjekur në furrë kishin një rrezik 30 përqind më të ulët për t’u prekur nga goditje në zemër, në krahasim me gratë që nuk hanin peshk.
Gjatë studimit, shkencëtarët zbuluan se peshku kur gatuhet i skuqur jo vetëm që nuk ndihmon shëndetin e zemrës, por e dëmton atë. Gratë që hanin një racion peshku të skuqur në javë, shtonin 48 përqind rrezikun për t’u prekur nga goditje në zemër, në krahasim me gratë që nuk hanin peshk fare. Studimi zbuloi se peshqit me mish të errët si salmoni, makarel dhe peshku blu kanë nivele më të larta të acidit yndyror omega-3 dhe janë më të shëndetshëm për zemrën sesa llojet e peshqve me mish të bardhë.