Të huaj të përkushtuar

E Premte, 08 Korrik 2011
1 comment

Astrit Lulushi, Zeri i Amerikes

Pse një i huaj i përkushtohet çështjes shqiptare? Interesat mund të jenë nga më të ndryshmet, por përfitimet që i sjellin cështjes përmblidhen në një. Kur përkushtimi i përket gjuhës, interesi është akademik, sepse shqipja si antare e familjes se gjuhëve indo-evropiane lidhet me shumë gjuhë të tjera, por edhe veçohet, disa thonë; për shkak të ndarjes së herëshëm nga trungu; të tjerë, për shkak të asimilimit, huazimeve ose përvetësimit të plotë të fjalëve të huaja, duke i bërë ato të tingëllojnë më mirë në shqip.

Studimi i literaturës quhet ‘filologji’, që thjesht do të thotë; studim i gjithë tekstit fjalë për fjalë dhe i kuptimit të secilës prej tyre. Latinishtja e greqishtja e vjetër, p.sh., nuk ekzistojnë më, por shumë fjalë te huazuara prej tyre janë baza të shumë fjalëve shqipe, madje edhe të vetë fjalës “fjalë” > fable > parable, etj. Gjuhëtari i huaj, Vladimir Orel i del në mbrojtje “fjalës” duke thënë se vjen jo nga latinishtja, por nga një para shqipe ‘spela’ e lidhur etimologjikisht me norsishten e vjeter ‘spjall’.

Vështrimi i huaj gjithashtu hedh dritë të re, përçuese, të kthjellet, përtej tymit, reve e mjegullës që krijojnë euforitë a pasionet. Çfarë ndodh përditë shpesh kalon pa u vënë re. Kur ndodh rrallë ose një herë, shënohet si përvjetor. Kështu, edhe vështrimi i huaj.

Historikisht, dihet se kanë qenë të huajt, ose vendas në dhe të huaj, që ndezën shkëndijën e krenarisë për prejardhjen etnike dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Gjithashtu, janë të huajt që kanë studiuar në këtë fushë me një sy më shkencor. Arsyet kanë qenë të ndryshme, jo vetëm për shkak se shqipja ndërthuret me gjuhët e tjera, por edhe sepse shkenca është pa komb pa parti, pa ngjyra, e pa-anëshme.

Danezi Holger Pedersen (1867 – 1953), është autor i dhjetra studimeve mbi gjuhë të ndryshme. Në vitin 1895 Perdersen së bashku me filologun gjerman Karl Brugmann bënë një vizite në Ballkan për studime në fushën e shqipes. Më pas, i nxitur nga Brugmann, Pedersen botoi një permbledhje me shenimet gjuhesore dhe etnografike të këtij udhëtimi.

Pedersen njihet gjithashtu si krijues i konceptit ’nostratik’ të klasifikimit të gjuhëve sipas prejardhjes. Kjo teori nuk gjeti përkrahje në atë kohë (1900), dhe Pedersen pak e aplikoi në studimet e veta. ‘Nostratic” nga lat., “e jona” bazohet në idenë se gjuhët sado te ndryshme, te gjitha rrjedhin nga një gjuhë e përbashkët, ashtu si njerëzimi nga një racë e vetme, dhe se dallimet, ndarjet, si dhe zhvillimet gjuhësore janë krijuar – ashtu si racat e kombet – nga ndikimet natyrore, mjedisore e shoqerore.

Pas një heshtjeje prej disa dekadash, idea ‘nostratik’ ri-doli në dritë në vitet 1950, kur filologu amerikan Joseph Greenberg përçau rrethet akademike me një sërë artikujsh shkencorë në përkrahje të konceptit të hedhur nga Pedersen. Kjo ide e lënë në heshtje në perëndim, evoluoi në lindje. Pas rrënies së perdes së hekurt (1990), idea ‘nostratik’ u rishfaq dhe këtë herë sikur zuri vend në qarqet akademike anglisht-folës. Sot mund të thuhet se ‘nostraik’ ka përkrahes mes filologëve të huaj të përkushtuar sa lindje në edhe perëndim, po të kihen parasysh shkrimet e herë-pas-herëshme në faqet shkencore të shtypit të përditshëm (NYT) , apo revista të mirëfillta gjuhësore (Journal of Indo-European Studies, JIES).

Përkrahësit e riklasifikimit apo ritaksonomisë së familjeve të gjuhëve – mes tyre dhe gjuhëtarë të njohur si Merritt Ruhlen, që përpiqen për rrugë të reja më efektive në fushën gjuhëve amerindian, pasi kështu mendojnë se mund të përcaktojnë saktë edhe prejardhjen e indianëve të Amerikës, deri sot e debatueshme  – thonë se lidhjet mes familjeve gjuhësore janë më të shumta e më të afërta sesa mendohet. Sipas tyre, mënyra e ndarjes së gjuhëve në familje duhet rishikuar, qoftë vetëm për faktin se ajo ka mbetur e pandryshuar që prej fundit të shekullit të 18, kur William Jones zbuloi mes sanskrishtes fjalë që përkonin në formë, kuptim e ide me fjalë të greqishtes, latinishtes e gjuhëve të tjera evropiane. Sipas tyre, besimi mbizotërues akademik se indoevropianishtja është familje e veçuar, pa ndonje lidhje me gjuhët jashtë saj, është një prej miteve gjuhësore më të përhapur të kohës sonë, megjithëse që në fillim të shekullit të XX, filologë (si Pedersen) kishin përcaktuar se indo-evropianishtja lidhej me familje të tjera. Në librin “On the Origin of Languages” (1994), Ruhlen kritikon ata që këmbëngulin se “kur William Jones krijoi metodën e gjuhësisë krahasuese, ai vendosi edhe kufijë e saj. Kjo, si të thuhet se teleskopi i Galileut ishte jo vetëm i pari, por është edhe teleskopi më i fuqishëm që njeh njerëzimi.”

Sipas buletinit “Ethnologue” (Grimes 1996) , sot në botë fliten rreth 6 mijë e 500 gjuhë. Lista të ndryshme thonë se ekzistojnë 2 mijë – 3 mijë deri në 8 mijë gjuhë. Gjuhët, sipas prejardhjes, janë ndarë në 13 familje. Vetëm familja indo-evropiane përmbledh mbi 430 gjuhë, ku bën pjesë edhe shqipja, e anëtarësuar falë studiuesve të huaj.

Të huajt si Gustav Meyer dhe Norbert Jokli jane të parët e etimologjisë shqipe. Në rezultatet e studimeve të tyre e kanë bazën arritjet shqiptare në këtë fushë. Në vitet 1800, Gustav Meyer zbuloi 400 rrënjë fjalësh shqipe me prejardhje indo-evropiane. Sot ky numër është mëse 5 fishuar, (S. Mann). Meyer gjithashtu dha shpjegime për shumë fjalë shqipe të huazuara, për disa edhe gaboi. Por merita e tij më e madhe duket se qëndron gjetkë; Meyer ishte jo vetëm i pari etimolog i huaj që iu përkushtua plotësisht shqipes, por ai ushqeu me ndjenjën e përkushtimit edhe albanologë të ardhshëm.

Mendohet se kur Meyer vdiq me 1900, fjalorin e tij etimologjik ia la Joklit. Të dy njiheshin nga afër. Ata ndodheshin në universitetin e Vjenës, i pari si profesor, tjetri student. Dhe ishte fjalori i Meyerit që ndikoi në formimin e Joklit, i cili frymëzoi Çabejin në vitet 1920 – 30. Prej Joklit, Çabej mori mësimet e para në fushën e etimologjisë. Dhe ndoshta është kjo arsyeja që Jokli quhet edhe ‘babai i albanologjisë’.

Jokli studioi për jurisprudencë në Universitetin e Vjenës dhe u diplomua më 1901. Por hoqi dorë nga profesioni juristit – hap që përkoi me vdekjen e Meyerit –  dhe vendosi t’i përkushtohet studimit të gjuhëve indo-evropiane. Ai u diplomua në këtë fushë në vitin 1903 dhe nisi punën në bibliotekën e Universitetit. Më 1907, Jokli filloi studimin e shqipes dhe etimologjinë e saj. Shënimet e tij filluan të mbushinin anët e faqeve të fjalorit të Meyerit.

Në prill 1933, paleontologu dhe albanologu Ferenc Nopça vrau sekretarin e vet dhe pastaj veten, duke ia lënë letrat e tij Norbert Joklit. Pas kësaj, Jokli do të shihej si autoriteti i vetem në fushën e studimeve albanologjike.

Më 1938, me pushtimin e Austrisë nga Gjermania, Jokl u pushua nga puna në universitetin e Vjenës. Gjithashtu, punimet shkencore filluan t’i refuzoheshin dhe ai nuk ftohej më në konferenca studimore. Biografët thonë se gjatë kësaj kohe, Jokli bënte një jetë asketi. Ai banonte vetem,  i mbyllur në një apartament me dy dhoma plot me libra. (E. Jacques)

Jokli u përpoq të gjente punë jashtë vendit, por pa sukses. Shansi i tij i fundit ishte një pozicion bibliotekari që ishte krijuar posacërisht për të në Shqipëri. Në arkivat e Shqipërisë gjenden dokumente që tregojnë se si Gjergj Fishta u kishte kërkuar autoriteteve italiane të ndërhynin pranë Gjermanisë për të lejuar transferimin e Joklit në Shqipëri.(K. Çefa)

Nga ana e tij, edhe Jokli kërkonte leje për të marrë me vete edhe bibliotekën e tij. Por të dyja përpjekjet shkuan kot; transferimi në Shqipëri nuk u pranua nga Gjermania; transferimi i librave u kundërshtua nga universiteti i Vjenës.

Më 4 mars 1942, Jokli u arrestua dhe pas kësaj nuk do të shihej më. Saktësisht, kur dhe si vdiq Jokli, nuk dihet. Disa thonë se ai u pushkatua në një kamp përqëndrimi në Minsk. Sipas një versioni tjeter, Jokli vdiq nga keqtrajtimi ndërsa mbahej i arrestuar në qelitë Gestapos në Vjenë. Disa thonë se Jokli kreu vetëvrasje nga dëshpërimi. Të tjerë mendojnë se ai u dërgua në një kamp në Riga, ku vdiq nga vuajtjet si shumë të internuar të tjerë.

Fati i bibliotekës së Joklit është edhe më mister. Një muaj pas arrestimit të tij, biblioteka u konfiskua dhe nga 3 mijë vëllime që kishte, vetëm 200 përfunduan në bibliotekën e Universitetit të Vjenës, të tjerat “humbën”, përfshi studimet e tij etimologjike dhe shtojcat që i kishte bërë fjalorit të Gustav Meyerit. A mund të përfshihet kjo bibliotekë ndër shkaqet që ndikuan në arrestimin dhe mos lirimin e Jokli? Në kohë të vështira, cmira e ambicjet shfrenohen.

Të tjerë të huaj të përkushtuar ka shumë, dhe të moshuar, si amerikani Erik Hamp – sot mbi 90 vjeç dhe vazhdon të punojë. Albanologja është një nga degët e shumta të studimeve të tij jetësore ku përfshihen keltishtja  dhe amerindian. Përkushtimi i Hampit është arbërishtja e Italisë.

Kanë kaluar më shumë se 10 vjet që kur një tjetër i huaj, akademiku rus Vladimir Orel –  atëhere i ri – botoi “Albanian Etymological Dictionary”, i dyti nga lloji dhe nga përmasa, pas fjalorit “Studime etimologjike” të Eqrem Cabejt (6 vëllime, A – RR).

Fjalori i Orelit pëmban mbi 2 mijë fjalë të shpjeguara etimologjikisht dhe të shoqëruara me interpretimet e studiuesve të tjerë,  që janë marrë ose merren me këto çeshtje. Vështrimi i Orelit vjen e freskët, nga jashtë, nga një kënd i ri e më i gjërë, duke hedhur dritë në 3 fazat e zhvillimit të shqipes; indoevropianishtja, para-shqipja, dhe shqipja bashkëkohore.

Para-shqipja, si para-çdo gjë, është koncept relativisht i ri në qarqet akademike, sepse bazohet më shumë në mendim sesa në provë a fakt. Shkencërisht, është vështirë të vërtetohet se cfarë ka ekzistuar para hiçit. Vetëm hamendjet, spekullimet – në linguistikë, rindërtimi a rikrijimi i fjalëve – vijnë në ndihmë, per t’u hedhur pastaj me hamendje në rrugën e metejshme të zhvillimit – por edhe për të shuar kurreshtjen – ashtu siç vetëm mund të spekullohet se cfarë ka ekzistuar para Shpërthimit të Madh (Big Bang).

Sipas konceptit të para-shqipes, indo-evropianistë si Brugmann (1849–1919), kanë mbrojtur idenë se deri në fund të para erës sonë në trojet ku sot banojnë shqiptarë në Ballkan flitej një gjuhë indo-evropiane. Në atë periudhë, latinishtja kishte kohë që përdorej, por ndikimet e saj filluan të ndjeheshin në vitet 100 – 200 të të erës sonë, kur gjuha dhe kultura romake dhe ajo vendase ishin lidhur, konsoliduar ose kishin asimiluar njera-tjetrën, duke shënuar fillimin e një kulture, por dhe gjuhe të veçantë. Orel e shënon këtë periudhë si kufirin midis para-shqipes dhe shqipes së herëshme. Megjithëse periudhën nga shekulli i II-të deri në shek. VII, Orel e lë pa një emër, ai mendon se ishte koha kur para-shqipja u zhvillua apo pësoi ndryshime të thella fonetike e leksikore nën ndikimet e latinishtes dhe sllavishtes. Përsa i përket shqipes bashkëkohore, Orel thotë se shkencërisht periudha e saj filloi me datimin e dokumenteve më të herëshme të shkruara të kulturës shqipe aty rreth shekullit XIV.

Orel u diplomua për filologji nga Universiteti i Moskës më 1973. Si nxënës i albanologes së njohur Agnia Desnickaja (1912 – 1992), ai nuk kishte si të mos ndikohej prej saj në përkushtmin ndaj shqipes. Orel gjithashtu u ndikua edhe nga idea nostratik apo siç quhet ndryshe ‘shkolla moskovite’. Këtë ndikim kritikët e kanë vënë re veçanërisht në studimet e tij rreth gjuhëve të tjera, përfshi hebraishten. Në fushën e albanologjisë, Vladimir Orel, është autor edhe i një gramatike historike të shqipes (2000). Ndoshta ka patur edhe plane të tjera. Ai vdiq në Kalgari të Kanadasë më 5 gusht të vitit 2007. Ishte 54 vjeç.

One response to “Të huaj të përkushtuar”

  1. […] morrën në shqyrtim 40 fëmijë kopshti duke u dhënë një provim fonetik, një nga bazat kryesore të leximit. Disa fëmijë e kryen mirë provimin. Por të tjerët dolën […]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth autorit

Rreth autorit

brainAstrit Lulushi shkruan a sjell njoftime mbi zhvillime në mjekësi, shkencë e fusha të tjera.

Të gjitha informatat në këtë blog jane vetëm për njohuri të përgjithshme dhe jo për zëvendësim të këshillave mjekësore dhe trajtimeve për kushte të veçanta shëndetësore, për të cilat ju duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Lidhje të jashtme website ofruar në këtë blog janë të destinuara për lehtësi sqarimi dhe vetëm për qëllime informative.

Kalendar

July 2011
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031