Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Fruktoza është sheqer i thjeshtë që gjendet në sasi të vogla në perime dhe fruta.
Shoqata amerikane e zemrës rekomandon që njeriu të marrë vetëm 5 për qind të kalorive ditore nga sheqernat e shtuar, por udhëzime të tjera dietike sugjerojnë se konsumimi deri në 25 për qind është në rregull.
Kohët e fundit, një studim në “Journal of Clinical Endycrinology and Metabolism” (JCEM) shqyrtoi efektet e marrjes 25 për qind të kalorive nga fruktoza ose glukoza që është një tjetër sheqer i thjeshtë.
Sipas studimit, ngrënia e fruktozës në nivele të larta, rezultoi në shtimin e kolestrerinës të keqe dhe të yndyrnave të tjera që ndikojnë në formimin e pllakëzave në enët e gjakut.
Autorët e studimit, shkencëtarë të universitetit të Kalifornisë në Davis, thonë se konsumimi i sheqerit mund të nxisë sëmundje në zemër, prandaj niveli maksimal prej 25 për qind i fruktozës që rekomandohet të merret nëpërmjet frutave dhe perimeve, duhet ri-vlerësuar.