Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sa gjatë mund të jetojë njeriu? Pse disa njerëz jetojnë 100 vjeç? Për këtë, stili i jetesës mund të mos jetë faktor, thuhet në një studim të ri. Studime të mëparëshme kanë treguar se gjenet dhe mënyra e jetesës janë dy faktorë kryesorë për një jetë të gjatë.
Por një studim botuar në revistën e Shoqatës amerikane mbi sëmundjet e moshës (Geriatrics Society), tregon se njerëzit mbi 90 vjeç e kanë arritur këtë moshë jo duke ngrënë ushqime të shëndetëshme, jo duke kryer ushtrime fizike dhe as duke mos pirë alkohol ose duhan.
Shkencëtarët pranë kolegjit mjekësor Albert Einstein intervistuan rreth 500 hebraiko-gjermanë (ashkanazi), shumica gra me moshë mesatare 97 vjeç.
Pjesmarrësit u pyetën mbi mënyrën e jetesës kur kishin qenë 30 vjet më të rinj, në vitet 1970.
Pasi i grumbulluan të dhënat, autorët e studimit i krahasuan ato me të dhënat e nxjerra nga një studim mbarë kombëtar mes amerikanëve në vitet 1970.
Të dy grupet kishin ngjashmëri përsa i përket përdorimit të alkoholit, kryerjes së ushtrimeve fizike dhe dietave me kalori të ulët, por ndërsa grupi i parë kishte jetuar rreth 100 vjeç, shumë prej pjestarëve të grupit të amerikanëve nuk e kishin arritur këtë moshë.
Kjo i shtyu shkencëtarët të nxirrnin përfundimin se mënyra e jetesës midis dy grupeve nuk ishte faktor për një jetë të gjatë.
Por kritikët thonë se këto rezultate duhen vënë në pikëpyetje sepse autorët e studimit mbështeten në informata nga persona rreth 100 vjeç, kur dihet se kujtesa e njerëzve të kësaj grupmoshe se cfarë kishin ngrënë, kishin pirë apo sa shumë ushtrime kishin bërë 30 vjet të shkuara, është e turbullt.