Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Në Shtetet e Bashkuara, gati 7 mijë pacientë vdesin çdo vit duke pritur për një transplantim organi. Më shumë se 100 mijë njerëz janë në listën e pritjes për një transplantim të tillë dhe 19 prej tyre vdesin çdo ditë. Shumë organe për transplantim (71%) vijnë nga pacientë që kanë pësuar vdekje të trurit, dhe disa (23%) nga dhurues të gjallë. Vetëm 6 përqind e organeve dhurohen pasi personit i pushon zemra, ose kur kirurgët i marrin organet vetëm dy minuta pasi zemra e një dhuruesi ka pushuar së rrahuri.
Por rrjeti i bashkuar amerikan për dhurimin e organeve, UNOS që mbikqyr këtë proces, kërkon ndryshimin e disa rregullave mbi organet e transplantuara. Ky rrjet propozon se në raste kur zemra e pacientit ndalet, mjekët nuk duhet të presin më 2 minuta për të parë nëse zemra mund të rifillojë të rrahë.
Ndryshimi i rregullave gjithashtu parashikon heqjen e masës që nuk i lejon një pacienti për të konsideruar një dhurues të mundshëm para se mjeku dhe familja e tij të kenë hequr shpresat për shërimin e organit të sëmurë.
Kritikët shqetësohen se këto ndryshime do të shtonin rrezikun se pacienti në gjendje të rëndë do të shihet thjesht si bankë organesh dhe kjo do të kompromentonte kujdesin për të. Përkrahësit thonë se ndryshimet e këtyre rregullave do të forconin programin e transplantimeve.